
Policia e Shtetit ka bërë publike tre raste të veçanta që lidhen me vepra penale të dhunës dhe veprimtari të paligjshme, të ndodhura në Gramsh, Pogradec dhe Tiranë.
Në Gramsh, një 26-vjeçar është dhunuar brutalisht nga një 54-vjeçar dhe dy djemtë e tij, 22 dhe 23 vjeç, të cilët e goditën me grushte dhe një send të fortë metalik.
Viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, në Pogradec është arrestuar një 49-vjeçar, Pavlo Fetau, i cili ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndonëse ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mëmëlisht, ndërsa pas dhunës, autori është larguar nga banesa. Gruaja ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Dhuna në familje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Po ashtu, në Tiranë, gjatë një operacioni policor të koduar “Last chance”, është zbuluar një lokal i përshtatur për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit.
Policia ka sekuestruar pesë makineta dhe ka arrestuar dy punonjës të lokalit, Frrok Tota dhe Flogert Dervishi. Pronari i lokalit, Besmir Vuka, është shpallur në kërkim.
Të gjitha rastet janë referuar për ndjekje të mëtejshme pranë prokurorive përkatëse. Policia e Shtetit vijon kontrollet për goditjen e paligjshmërisë në territor.