Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Bashën: E braktisi votën e shqiptarëve në 2021, dërgoi raport të turpshëm tek ndërkombëtarët


Gjatë një debati në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj Lulzim Bashës, duke e cilësuar përgjegjës për braktisjen e votës së shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Berisha u shpreh se, menjëherë pas zgjedhjeve, i kishte kërkuar Bashës të qëndronte pas mbrojtjes së votës, duke theksuar se “vota vdiq pa hyrë në kuti”. Sipas tij, në vend që të reagonte ndaj shkeljeve zgjedhore, Basha nisi një proces të brendshëm në parti për të shmangur përballjen me farsën elektorale.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë bënë një raport objektiv në 2021. Por Lulzim Basha, në vend që të merrej me manipulimet, nisi analiza për të harruar zgjedhjet. Më e turpshmja ishte se ai dërgoi një raport qesharak tek ndërkombëtarët, dhe kur ata panë se ky nuk i dilte zot asgjëje, e zbutën edhe raportin,” u shpreh Berisha.

Sipas liderit demokrat, në atë kohë ai i kishte sugjeruar Bashës që përpara çdo analize të brendshme, të niste një aksion ndërkombëtar për denoncimin e farsës elektorale.

“Nëse do të qëndronte pas votës, situata do të ishte ndryshe. Por ai i ktheu shpinën kësaj beteje dhe e la kauzën në mes,” përfundoi Berisha.