
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas rinumërimeve të votave që po zhvillohen, duke akuzuar partitë e mëdha për përpjekje për t’i rrëmbyer një nga mandatet e fituara nga forca e tij politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se dy mandatet e “Mundësia” janë të padiskutueshme dhe të fituara ndershëm.
“Shehaj deklaron se po tentohet një ‘grabitje’ politike nga partitë e vjetra, të cilat, sipas tij, nuk pranojnë ndryshimin dhe po përpiqen të manipulojnë rezultatin pas kutive të votimit.”
“Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!”, shkroi Shehaj në reagimin e tij, duke e cilësuar situatën si një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur një forcë të re politike.
Ai përsëriti angazhimin e tij për të mbrojtur çdo votë të dhënë për partinë “Mundësia”, duke theksuar se votat janë një mesazh i qartë për ndryshim dhe nuk do të lejohet që ato të tjetërsohen apo të manipulohen.
Deklarata e Shehajt vjen në një kohë kur tensionet politike pas zgjedhjeve janë rritur dhe procesi i rinumërimit po ndiqet me vëmendje nga publiku dhe aktorët politikë.
Postimi i Shehajt:
“Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.”