Vendosni fjalën kyçe....

Si arriti Rusia të ngrejë në Brazil rrjetin e spiunazhit me agjentët më elitarë


Artem Shmyrev i kishte mashtruar të gjithë. Oficeri rus i inteligjencës dukej se kishte ndërtuar identitetin e përsosur për të mos u zbuluar. Ai drejtoi një biznes të suksesshëm printimi 3D dhe jetonte në një apartament luksoz në Rio de Zhaneiro me të dashurën e tij braziliane dhe një mace me gëzof të racës Maine Coon ngjyrë portokalli dhe të bardhë.

Por më e rëndësishmja, ai kishte një çertifikatë autentike lindjeje dhe një pasaportë që e çimentonte pseudonimin e tij si Gerhard Daniel Campos Wittich, një shtetas brazilian 34-vjeçar.

Pas gjashtë vitesh qëndrimi me profil të ulët, ai mezi prizte për të filluar punën e vërtetë të spiunazhit.

“Askush nuk dëshiron të ndihet i humbur,” i shkroi ai në një mesazh të vitit 2021 gruas së tij ruse, e cila ishte gjithashtu një oficere e inteligjencës, me një anglishte shatra-patra.

“Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të punoj dhe të shpresoj.”

Ai nuk ishte vetëm. Për vite me radhë, sipas një hetimi të New York Times, Rusia përdori Brazilin si bazë për oficerët e saj më elitarë të inteligjencës. Në një operacion të guximshëm dhe të gjerë, spiunët hodhën pas krahëve të kaluarën e tyre ruse. Ata hapën biznese, bënë miq dhe patën lidhje dashurie – ngjarje që, gjatë shumë viteve, u bënë themele të identiteteve krejtësisht të reja.

Operacione të mëdha spiunazhi ruse janë zbuluar në të kaluarën, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Kjo ishte ndryshe. Qëllimi nuk ishte të spiunohej Brazili, por të bëheshin brazilianë. Pasi të qëndronin në hije me histori të besueshme, ata do të niseshin për në Shtetet e Bashkuara, Evropë ose Lindjen e Mesme dhe fillonin të punonin me zell.

Rusët në thelb e kthyen Brazilin në një linjë montimi për operativë të fshehtë si Shmyrev.

Njëri filloi një biznes bizhuterish. Një tjetër ishte një modele bionde me sy blu. Një i tretë u pranua në një universitet amerikan. Një tjetër ishte studiues brazilian që filloi të punojë në Norvegji dhe një çift i martuar që më në fund shkoi në Portugali.

Pastaj gjithçka u shkërmoq.

Gjashtë nga spiunët rusë, në drejtim të akrepave të orës nga lart majtas; Yekaterina Leonidovna Danilova, Vladimir Aleksandrovich Danilov, Olga Igorevna Tyutereva, Aleksandr Andreyevich Utekhin, Irina Alekseyevna Antonova dhe Roman Olegovich Koval.

Për tre vitet e fundit, agjentët e kundërzbulimit brazilian i kanë gjuajtur në heshtje dhe në mënyrë metodike këta spiunë. Nëpërmjet punës së mundimshme, këta agjentë zbuluan një model që i lejonte ata të identifikonin spiunët, një nga një.

Sipas dokumenteve dhe intervistave, agjentët kanë zbuluar të paktën nëntë oficerë rusë që vepronin nën identitetin brazilian. Gjashtë nuk janë identifikuar kurrë publikisht deri tani. Hetimi ka përfshirë tashmë të paktën tetë vende, thanë zyrtarët, me inteligjencë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Holanda, Uruguai dhe shërbime të tjera të sigurisë perëndimore.

Duke përdorur qindra dokumente hetimore dhe intervista me dhjetëra zyrtarë të policisë dhe inteligjencës në tre kontinente, The Times bashkoi hollësi të operacionit të spiunazhit rus në Brazil dhe përpjekjeve të fshehta për ta hequr atë.

Çmontimi i fabrikës së spiunazhit të Kremlinit ishte më shumë se thjesht një kundërspiunazh rutinë. Ishte pjesë e pasojave të dëmshme nga një dekadë e spiunazhit rus. Spiunët rusë ndihmuan në rrëzimin e një avioni pasagjerësh nga Amsterdami në vitin 2014. Ata akuzohen se ndërhynë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe gjetkë. Ata helmuan armiqtë e perceptuar dhe komplotuan grushte shteti në disa vende.

Por ishte vendimi i presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën në shkurt të 2022-shit ai që nxiti një përgjigje globale ndaj spiunëve rusë edhe në pjesë të botës ku ata oficerë kishin gëzuar prej kohësh një shkallë mosndëshkimi. Ndër këto vende ishte Brazili, i cili historikisht ka pasur marrëdhënie miqësore me Rusinë.

Hetimi i Brazilit i dha një goditje shkatërruese programit të agjentëve të Moskës. Ai eliminoi një kuadër oficerësh shumë të stërvitur që do jetë e vështirë të zëvendësohen. Të paktën dy u arrestuan. Të tjerët mundën të bënin një tërheqje të nxituar në Rusi. Me identitetet e zbuluara, me shumë mundësi nuk do punojnë më kurrë jashtë vendit.

Në zemër të kësaj disfate të jashtëzakonshme ishte një ekip agjentësh kundërzbulimi nga Policia Federale e Brazilit, e njëjta njësi që hetoi ish-presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro.

Nga selia e tyre moderne në kryeqytetin Brasília, ata kaluan vite duke krehur miliona të dhëna braziliane identiteti, duke kërkuar modele.

Ai u bë i njohur si Operacioni Lindje.

Fantazmat në rrjet

Në fillim të prillit 2022, vetëm disa muaj pasi trupat ruse hynë në Ukrainë, CIA i dha një mesazh urgjent dhe të jashtëzakonshëm Policisë Federale të Brazilit.

Amerikanët raportuan se një oficer i fshehtë në shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë ishte paraqitur kohët e fundit në Holandë për të kryer stazh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, pikërisht kur ajo filloi të hetonte krimet ruse të luftës në Ukrainë.

Praktikanti i mundshëm po udhëtonte me një pasaportë braziliane me emrin Victor Muller Ferreira. Ai kishte marrë një diplomë nga “Universiteti Johns Hopkins” me atë emër. Por emri i tij i vërtetë  sipas CIA-s  ishte Sergej Cherkasov. Zyrtarët holandezë të kufirit ia kishin ndaluar hyrjen dhe tani ai ishte në një aeroplan për në Sao Paulo.

Me prova të kufizuara dhe vetëm disa orë për të vepruar, brazilianët nuk kishin autoritet për ta arrestuar Cherkasov-in në aeroport. Kështu, për disa ditë me ankth, policia e mbajti nën vëzhgim të rreptë, ndërsa ai endej i lirë në Sao Paulo.

Më në fund, oficerët morën një urdhër dhe e arrestuan, jo për spiunazh, por me akuzën modeste të përdorimit të dokumenteve false.

Edhe ky doli të ishte një rast shumë më i vështirë për t’u kryer nga sa pritej kushdo. Gjatë marrjes në pyetje Cherkasov ishte kryelartë, duke këmbëngulur se ai ishte brazilian. Dhe kishte dokumente për ta vërtetuar.

Pasaporta e tij blu braziliane ishte autentike. Ai kishte një kartë regjistrimi braziliane të zgjedhësve, siç e kërkon ligji dhe një vërtetim që tregonte se kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Të gjitha ishin të vërteta.

Plazhi Ipanema në Rio de Zhaneiro. Për vite me rradhë, Rusia përdori Brazilin si pikënisje për oficerët e saj elitë të inteligjencës

“Nuk kishte asnjë lidhje mes tij dhe Rusisë”, tha një hetues në Policinë Federale, i cili foli, ashtu si edhe të tjerët, në kushte anonimiteti, sepse hetimi është ende i hapur.

Vetëm kur policia gjeti certifikatën e tij të lindjes, historia e Cherkasov  dhe i gjithë operacioni rus në Brazil, filloi të shkërmoqet.

Në të kaluarën, spiunët rusë shpesh kanë marrë dokumente identifikimi duke supozuar identitetin e njerëzve të vdekur, shpesh të foshnjave.

Jo në këtë rast. Victor Muller Ferreira, sipas agjentëve, nuk kishte ekzistuar fare. Megjithatë ai kishte një certifikatë të vërtetë lindjeje.

Dokumenti tregonte se Victor Muller Ferreira kishte lindur në Rio de Zhaneiro në vitin 1989 nga një nënë braziliane, një person i vërtetë që kishte vdekur katër vjet më vonë.

Por kur policia gjeti familjen e saj, agjentët mësuan se gruaja nuk kishte pasur kurrë fëmijë. Autoritetet nuk gjetën askënd që përputhej me emrin e babait.

Zbulimi ngriti pyetje befasuese. Si kishte siguruar një spiun rus dokumente origjinale me një emër të rremë? Më e rëndësishmja, nëse një spiun mund ta bënte atë, pse të tjerët nuk mund ta bënin?

Agjentët federalë filluan të kërkonin për ato që ata i quajtën “fantazma”: njerëz me certifikata të rregullta lindjeje, të cilët e kaluan jetën e tyre pa asnjë të dhënë se ishin në të vërtetë në Brazil dhe që u shfaqën papritur si të rritur duke kërkuar me shpejtësi dokumentet e identitetit.

Për të gjetur këto fantazma, agjentët filluan të kërkonin modele në miliona të dhëna lindjeje, pasaporta, patenta shoferi dhe numra të sigurimeve shoqërore.

Disa prej tyre mund të automatizohen, por jo të gjitha bazat e të dhënave braziliane mund të lidhen dhe të kërkohen lehtësisht në mënyrë dixhitale. Pjesa më e madhe duhej të bëhej me dorë.

Kjo analizë i lejoi Operacionit Lindje të zbulonte të gjithë operacionin rus.

“Gjithçka filloi me Sergey,” tha një zyrtar i lartë brazilian.

Njerëzit specialë të Putinit

Të gjithë spiunët, pavarësisht se për cilin vend punojnë, përballen me të njëjtën sfidë: krijimin e një identiteti të rremë që mund të përballet me shqyrtimin.

Për breza të tërë, operativët e fshehtë përdorën pasaporta false, emra të vjedhur dhe histori të provuara mirë. Epoka dixhitale, në të cilën pothuajse të gjithë kanë një histori online, i ka bërë gjërat shumë më të ndërlikuara.

Ky është një problem veçanërisht i mprehtë për Rusinë. Kjo për shkak se, ndërkohë që të gjitha shërbimet e spiunazhit punësojnë operativë të fshehtë, shumica mbështeten në rrjetet e informatorëve lokalë për të bërë punën e rëndë të mbledhjes së inteligjencës. Rusia është unike. Kjo daton që në vitet më të hershme të Bashkimit Sovjetik, oficerët më të specializuar janë përkushtuar për një jetë shërbimi, duke jetuar dhe punuar si njerëz krejtësisht të ndryshëm.

Vetë Putin e ka pranuar se ka mbikëqyrur spiunët sovjetikë të fshehtë, ndërsa ishte dërguar në Gjermaninë Lindore si officer i ri i KGB-së në fund të Luftës së Ftohtë.

“Këta janë njerëz të veçantë të një cilësie të veçantë, bindje të veçanta dhe një karakter të veçantë,” tha ai në një intervistë televizive të vitit 2017.

“Të lësh pas jetën tënde të mëparshme, të lësh pas të dashurit dhe familjen tënde, të lësh pas vendin tënd për shumë vite për t’ia kushtuar jetën shërbimit ndaj atdheut, nuk është diçka që mund ta bëjnë të gjithë. Këtë mund ta bëjnë vetëm të zgjedhurit dhe këtë e them pa asnjë ekzagjerim.”

Një fotografi nga fundi i viteve 1980 e siguruar nga Agjencia e Regjistrimeve Stasi tregon Vladimir V. Putin, kur ai u dërgua në Dresden, Gjermania Lindore, si oficer i K.G.B. nga viti 1985 deri në 1990

Brazili dukej një vend ideal për spiunët e zgjedhur të Putinit për të ndërtuar bazën dhe mbledhjen e informacioneve. Pasaporta braziliane është një nga më të vlefshmet në botë, duke lejuar udhëtimin pa viza në pothuajse aq vende sa ajo amerikane. Dikush me tipare evropiane dhe një theks të lehtë nuk ka gjasa të dallohet në Brazilin multietnik.

Dhe ndërsa shumë vende kërkojnë verifikim nga një spital ose mjek përpara se të lëshojnë certifikatat e lindjes, Brazili lejon një përjashtim të veçantë për ata që kanë lindur në zonat rurale. Autoritetet lëshojnë një certifikatë lindjeje për këdo që deklaron, në prani të dy dëshmitarëve, se një fëmijë ka lindur nga të paktën një prind brazilian.

Sistemi është gjithashtu i decentralizuar dhe i cenueshëm ndaj korrupsionit lokal.

Me një çertifikatë lindjeje në dorë, është vetëm një çështje aplikimi për regjistrin e zgjedhësve, letrat ushtarake dhe, së fundi, një pasaportë.

Pasi të arrihet kjo, një spiun mund të shkojë pothuajse kudo në botë.

Thyerja

Një nga emrat e parë që u shfaq kur hetuesit filluan kërkimin e tyre ishte ai i Gerhard Daniel Campos Wittich. Ai dukej se i përshtatej modelit. Certifikata e tij e lindjes tregonte se ai kishte lindur në Rio në vitin 1986, por dukej se ishte shfaqur nga hiçi në vitin 2015.

Në kohën kur agjentët filluan të hetonin, Shmyrev kishte krijuar një identitet aq bindës sa që as e dashura dhe kolegët e tij nuk kishin asnjë të dhënë. Ai fliste një portugalisht të përsosur, të ngjyrosur me një theks që ai shpjegoi se ishte rezultat i një fëmijërie të kaluar në Austri.

Ai dukej se derdhi gjithçka që kishte në kompaninë e tij të printimit, 3D Rio, të cilën e ndërtoi nga e para dhe dukej se kujdesej vërtet për të, sipas ish-kolegëve. Ai kalonte orë të gjata në punë në katin e 16-të të një ndërtese në qendër të Rios, një bllok larg Konsullatës Amerikane. Ndonjëherë ai dërgonte punonjësit në shtëpi që të mund të punonte vetëm.

“Ai ishte i varur nga puna,” tha Felipe Martinez, një ish-klient që u miqësua me rusin që e njihte si Daniel.

Kompania u bë e suksesshme, tha një ish-punonjës, duke fituar klientë si “TV Globo”, një rrjet i fuqishëm televiziv dhe ushtria braziliane.

Por kishte të çuditshme, thanë miqtë dhe kolegët. Ai kurrë nuk e mbante kompjuterin e tij të lidhur me internetin kur nuk e përdorte atë. Dhe dukej se kishte më shumë para sesa mund të siguronte biznesi i tij.

Felipe Martinez, majtas dhe Bernardo Souza, të cilët ishin miq me një burrë që e njihnin si Gerhard Daniel Campos Wittich. Wittich ishte pseudonimi i një spiuni rus, Artem Shmyrev

Ai bënte udhëtime të papritura në Evropë dhe Azi dhe bënte shaka për kryerjen e “spiunazhit industrial” kundër konkurrentëve. Ai ndonjëherë pozonte si klient me kompani të tjera printimi dhe një herë dërgonte një nga punonjësit e tij të punonte në një biznes rival dhe të raportonte.

Ai gjithashtu dukej i tmerruar nga kamerat dhe nuk i pëlqente të bënte fotohrafi, saqë një ish-punonjës kujtoi duke bërë shaka se ai mund të ishte “i kërkuar nga Policia Federale”.

Por vetëm në prapavijë e gjithë kjo dukej e rëndësishme, thanë miqtë.

Privatisht, Shmyrev ishte i mërzitur dhe i frustruar nga jeta e fshehtë.

“Asnjë arritje reale në punë”, shkroi Shmyrev në një mesazh për gruan e tij.

“Unë nuk jam aty ku duhet të jem.”

Gruaja e tij, Irina Shmyreva, një tjetër spiune ruse që dërgonte mesazhe nga ana tjetër e botës, në Greqi, nuk ishte aspak e dashur në përgjigjen e saj.

“Nëse doje një jetë normale familjare, atëherë ke bërë një zgjedhje thelbësisht të gabuar,” u përgjigj ajo.

Por ajo pranoi se jeta që po bënin nuk ishte ajo që prisnin.

“Po, nuk është ashtu siç na u premtua dhe është keq”, i dërgoi ajo mesazh.

“Ata në thelb mashtrojnë njerëzit dhe unë e shoh atë si një gjë të keqe. Është e pandershme dhe jo konstruktive.”

Tekstet janë pjesë e një arkive dokumentesh që u ndanë me shërbimet e huaja të inteligjencës dhe u panë nga The Neë York Times. Ata u dërguan në gusht 2021 dhe u gjetën më vonë nga telefoni i Shmyrev.

Gjashtë muaj më vonë, Rusia pushtoi Ukrainën. Papritur, shërbimet e inteligjencës në mbarë botën po punonin së bashku dhe e kthenin në prioritet ndërprerjen e spiunazhit të Kremlinit. Jetët e spiunëve rusë të dislokuar në mbarë botën u tronditën.

I pari erdhi Cherkasov, praktikanti që u arrestua disa javë pas pushtimit. Më pas Mikhail Mikushin, i cili kishte qenë nën hetim brazilian, u shfaq në Norvegji dhe u arrestua. Dy operativë rusë u arrestuan në Slloveni, ku jetonin me identitete argjentinase.

Nga fundi i vitit 2022, hetuesit brazilianë po merreshin dhe po i afroheshin Shmyrev-it.

Lagjja Botafogo në Rio, ku banonte Shmyrev. Në kohën kur agjentët filluan të hetonin, Shmyrev kishte krijuar një identitet kopertine aq bindës sa as e dashura dhe kolegët e tij nuk kishin asnjë ide

Agjentët federalë kishin zbuluar personazhin e Gerhard Daniel Campos Wittich dhe zbuluan se nëna e tij kishte vdekur dhe nuk kishte pasur kurrë një fëmijë me atë emër. Babai i tij nuk u gjet.

Nga fundi i dhjetorit, agjentët ishin pothuajse të sigurt se kishin zbuluar një spiun rus.

Nëse Shmyrev ishte i frikësuar, ai nuk dha asnjë shenjë për këtë. Një pasdite të atij dhjetori, ai darkoi me një koleg në lagjen e modës Botafogo të Rios. Ai dukej i qetë dhe tha se po nisej për një udhëtim njëmujor në Malajzi, sipas punonjësit, i cili foli në kushte anonimiteti.

Ai arriti të shpëtonte vetëm disa ditë përpara se Policia Federale të zbulonte identitetin e tij. Agjentët mbetën të shtangur. E gjithë ajo punë dhe u kishte ikur nga duart.

Shmyrev kishte një biletë kthimi të datës 2 shkurt 2023. Kështu agjentët morën urdhra arresti dhe urdhra kontrolli për adresat e tij. Kur Shmyrev zbarkoi në tokën braziliane, ata do ishin gati për ta kapur.

Por ai nuk u kthye më.

“Çfarë ka më keq se të arrestohesh si spiun?”

Shmyrev nuk ishte i vetmi spiun rus që u shpëtoi brazilianëve. Sa herë që agjentët zbulonin një emër, dukej se ishin shumë vonë.

Një çift i martuar rreth të 30-tave, që jetonin si Manuel Francisco Steinbruck Pereira dhe Adriana Carolina Costa Silva Pereira, kishin zbritur në Portugali në vitin 2018 dhe ishin zhdukur.

Një bandë dukej se ishte në Uruguaj. Një grua e quajtur Maria Luisa Dominguez Cardozo kishte një certifikatë lindjeje braziliane dhe më vonë mori një pasaportë uruguaiane. Dhe ishte një çift tjetër i martuar: Federico Luiz Gonzalez Rodriguez dhe gruaja e tij, Maria Isabel Moresco Garcia, një spiune që pozonte si modele.

Shpresa më e mirë e agjentëve brazilianë për një arrestim dukej, për njëfarë kohe, të ishte një argjendar i quajtur Eric Lopes. Policia zbuloi se ai ishte në të vërtetë një spiun rus i quajtur Aleksandr Utekhin.

Biznesi i tij ishte paraqitur në një program televiziv brazilian të vitit 2021 të quajtur “Sipërmarrësit e suksesshëm”, i cili i referohej atij si një “ekspert në gurët e çmuar”.

Por prezantuesja tha në një intervistë për The Times se Lopes kishte paguar për atë spot televiziv.

Lopes, tha ajo, ishte i çuditshëm.

Ai fliste “gringo portugalisht”, vuri në dukje ajo, dhe nuk pranoi të dilte para kamerës. Një punonjës që doli në transmetim në emër të tij dinte pak për biznesin.

Kur agjentët federalë mbërritën në dyqan, ata nuk gjetën asnjë gjurmë të Lopes, arit apo gurëve të çmuar që ai kishte reklamuar në Instagram.

Dyqani i tij në Brasília është i zënë tani nga një kompani sigurimesh. Adresa në Sao Paulo, përballë një dege të policisë ushtarake të Brazilit, është shtëpia e një kompanie të pasurive të paluajtshme.

Hetuesit besojnë se biznesi i tij ekzistonte vetëm si një mbulesë për të forcuar kredencialet e tij braziliane. Një zyrtar perëndimor i sigurisë me njohuri për rastin tha se, pasi u largua nga Brazili, Utekhin kishte kaluar disa kohë në Lindjen e Mesme. Vendndodhja e tij e saktë nuk dihet, megjithëse zyrtarët e inteligjencës thonë se mendojnë se ai dhe të tjerët janë kthyer në Rusi.

Është e paqartë nëse ndonjë ngjarje e beftë i ka shtyrë agjentët sekretë rusë të kthehen në Rusi. Por me kaq shumë fokus në Rusi pas pushtimit të Ukrainës, ekspertët e inteligjencës thanë se ndoshta bosët në Moskë arritën në përfundimin se bota ishte bërë shumë e rrezikshme për ta.

Agjentët brazilianë që drejtonin Operacionin Lindje kishin shpenzuar orë të panumërta për të zbuluar emrat dhe ende nuk kishin asnjë rast përveç akuzës për dokumente të rreme kundër Cherkasov.

Por ata ndanë atë që kishin mësuar me agjencitë inteligjente partnere, oficerët e të cilave e kontrolluan atë informacion me të dhënat e operativëve të njohur të inteligjencës ruse. Dhe ata gjetën përplasje, të cilat në disa raste i lejuan brazilianët t’u vendosnin një emër të vërtetë identiteteve të rreme braziliane.

Çifti që jeton në Portugali me emrin Pereira, për shembull, rezultoi të ishte në të vërtetë Vladimir Aleksandrovich Danilov dhe Yekaterina Leonidovna Danilova, sipas dy zyrtarëve të inteligjencës perëndimore.

Brazili ka ruajtur prej kohësh asnjanësinë kur bëhet fjalë për ndarjet gjeopolitike. Edhe pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Brazili mbajti një marrëdhënie miqësore me Moskën. Përdorimi i territorit brazilian nga Kremlini për një operacion spiunazhi në shkallë të gjerë u pa si një tradhti. Autoritetet donin të dërgonin një mesazh.

Për ta bërë këtë, hetuesit dolën me një ide të guximshme. Ata mund të përdorin Interpolin, organizatën më të madhe të policisë në botë, për të djegur spiunët e Putinit.

Ishte një hakmarrje ironike. Putin për vite me radhë ka manipuluar bazat e të dhënave të Interpolit për të goditur disidentët dhe kundërshtarët politikë.

Vjeshtën e kaluar, brazilianët lëshuan një sërë njoftimesh blu të Interpolit – alarme që kërkonin informacion për një person. Njoftimet qarkulluan emrat, fotografitë dhe gjurmët e gishtërinjve të spiunëve rusë, përfshirë Shmyrev dhe Cherkasov, në 196 vendet anëtare.

Interpoli, si organ i pavarur, nuk merret me çështje të politizuara si spiunazhi. Për të shmangur këtë, autoritetet braziliane thanë se rusët po hetoheshin për përdorimin e dokumenteve false.

Uruguai lëshoi ​​alarme të ngjashme, të para nga The Times, për të dyshuarit si spiunë rusë që ishin paraqitur atje me identitet brazilian. Emrat e tyre të vërtetë, thanë zyrtarët e inteligjencës, ishin Roman Olegovich Koval, Irina Alekseyevna Antonova dhe Olga Igorevna Tyutereva.

Koval dhe Antonova, çifti i martuar, ishin larguar papritur nga Brazili me një fluturim për në Uruguaj në vitin 2023, thanë hetuesit. Vendndodhja e fundit e njohur e zonjës Tyutereva ishte Namibia, sipas zyrtarit të lartë.

Njoftimet e Interpolit nuk përfshijnë emrat e vërtetë, por përfshijnë fotografitë dhe informacione të tjera identifikuese. Me identitetet e tyre të regjistruara në bazat e të dhënave të policisë dhe emrat e tyre të vërtetë të shënuar nga shërbimet e spiunazhit, operativët me shumë mundësi nuk do mund të punojnë më kurrë si spiunë të huaj.

Nga të gjithë spiunët, vetëm Çerkasov mbetet në burg. Ai u dënua për falsifikim dokumentesh dhe u dënua me 15 vjet, por dënimi i tij u ul në pesë vjet.

Në një përpjekje të dukshme për ta kthyer atë në shtëpi herët, qeveria ruse pretendoi se ai ishte një tregtar droge në kërkim dhe paraqiti dokumente gjyqësore duke kërkuar që ai të ekstradohej.

Por brazilianët kundërshtuan me shpejtësi. Nëse Cherkasov ishte një tregtar droge, argumentuan prokurorët, atëherë ishte thelbësore që ai të mbahej në burg edhe më gjatë në mënyrë që policia të mund të hetonte.

Përndryshe ai mund të ishte liruar deri tani. Por ai mbetet në një izolim në Brasília.

“Do dëgjosh gjëra për mua”

Për një kohë pasi u largua nga Brazili, Shmyrev fliste rregullisht me miqtë dhe të dashurën e tij braziliane. Por në fillim të janarit 2023, mesazhet e tij me tekst u ndalën.

“Javët kalonin dhe ne nuk dinim çfarë të bënim,” tha Martinez, miku i tij.

E dashura e Shmyrev postoi në një grup në Facebook të quajtur brazilianët në Kuala Lumpur duke kërkuar ndihmë për ta gjetur atë.

“Ne filluam si një punë me detektivë,” tha Martinez.

“Ne kërkuam në internet. Telefonuam stacionet e policisë, ambasadat, hotelet në Kuala Lumpur, duke u përpjekur ta ndiqnim. Dhe nuk mund ta gjenim.”

Kur Shmyrev nuk mori fluturimin e tij të kthimit për në Brazil, policia u përfshi. Agjentët zbuluan se ai kishte lënë pas disa pajisje elektronike që përmbanin hollëësi të rëndësishme personale, përfshirë mesazhet me gruan e tij spiune ruse. Ai gjithashtu la 12,000 dollarë para në kasafortën e tij.

Këto janë tregues se ai kishte planifikuar të kthehej. Ashtu si me të tjerët, pyetjet se çfarë e nxiti të largohej dhe çfarë e mbajti larg mbeten mister. Rreth asaj kohe, gruaja e tij ruse u largua papritmas nga baza e saj e spiunazhit në Greqi. Ajo u dëbua më vonë nga autoritetet greke.

Një pamje nga Botafogo. Brazili dukej një vend ideal për spiunët rusë. Dikush me tipare evropiane dhe një theks të lehtë nuk ka gjasa të dallohet në vendin multietnik të Amerikës së Jugut.

Pavarësisht gjithçkaje, miqtë thanë se u mungonte.

“Ndonjëherë mendoj se një ditë do shkoj atje, në Shën Petersburg,” tha Martinez.

“Unë do jem në banak. Do porosis një vodka. Dhe pastaj, sikur, ai do shfaqet në anën tjetër.”

Kontakti i fundit i njohur që Shmyrev kishte me Brazilin ishte një telefonatë me të dashurën e tij pasi ai ishte larguar. Siç transmetoi Martinez, shoku i tij ishte i trishtuar, ndoshta duke qarë.

“Do dëgjosh gjëra për mua, por duhet të dish se unë kurrë nuk kam bërë diçka kaq të keqe. Nuk kam vrarë askënd apo diçka të ngjashme,” tha ai, kujton Martinez.

Rodrigo Pedroso kontribuoi në raportimin nga Sao Paulo. Prodhuar nga Gabriel Gianordoli dhe Rumsey Taylor.

Michael Schëirtz është një reporter i njohur investigativ. Me The Times që nga viti 2006, ai më parë mbulonte vendet e ish-Bashkimit Sovjetik nga Moska dhe ishte një reporter kryesor në një ekip që fitoi çmimin Pulitzer 2020 për artikujt rreth operacioneve të inteligjencës ruse.

Jane Bradley është një reportere hulumtuese. Ajo është e vendosur në Londër, ku përqendrohet në abuzimet me pushtetin, sigurinë kombëtare dhe krimin, dhe padrejtësitë sociale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani