Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa Osmani në Ditën e Presidentit: Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës së Kosovës



Në Ditën e Presidentit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar figurën e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, duke e cilësuar si “atin themeltar të Republikës së Kosovës”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani theksoi rëndësinë e vizionit të Rugovës për shtetformimin dhe orientimin euroatlantik të vendit, duke u shprehur se “ecim hapave të tij” në ndërtimin e Kosovës që ëndërruan gjenerata të tëra.

“Sot është Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti ynë historik Dr. Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë. Sot ecim hapave të tij, në përpjekje të vazhdueshme për ta bërë Kosovën atë që e deshën e për të cilën sakrifikuan breza të tërë”, shkroi Osmani.

Dita e Presidentit shënohet më 24 maj në nder të kontributit të Presidentit Rugova dhe të institucionit të Presidentit në konsolidimin e shtetit të Kosovës.