Vendosni fjalën kyçe....

Vdes një shtetas italian pas një ndërhyrjeje dentare në Tiranë, nis hetimi nga Policia dhe Prokuroria



Një shtetas italian 63-vjeçar, me qëndrim të përkohshëm në Tiranë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, katër ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë dentare në kryeqytet.

Sipas Policisë së Tiranës, më datë 22 maj 2025, viktima, identifikuar si D. S., është paraqitur në spital për mjekim pas komplikacioneve që kishte pësuar pas ndërhyrjes së kryer më 20 maj në një klinikë private në zonën e Rrugës së Kosovarëve.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 63-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Menjëherë pas ngjarjes, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2 kanë nisur hetimet paraprake. Deri më tani janë marrë në pyetje administratori dhe dentisti i klinikës ku u krye ndërhyrja. Materialet janë referuar në Prokurori për vlerësim të mëtejshëm ligjor.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje në lidhje me shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ka pasur neglizhencë mjekësore apo shkelje të tjera ligjore.