Vendosni fjalën kyçe....

Proda falënderon efektivët për operacionin “Enigma”: Një rast pozitiv për rritjen akoma më shumë të besimit të qytetarëve


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar punën e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, pas finalizimit me sukses të operacionit “Enigma”, që çoi në arrestimin e disa personave në kërkim për krime të rënda.

Në një mesazh falënderues, Proda shprehu mirënjohjen për profesionalizmin dhe kurajën e treguar nga efektivët në përballjen me persona të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.

Ai theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri aksionet për parandalimin dhe goditjen e krimit në të gjithë territorin, duke i cilësuar këto veprime si pjesë e përpjekjeve për një shoqëri më të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Të nderuar kolegë, drejtues dhe efektivë të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, organizimi dhe finalizimi me sukses i një operacioni me shkallë të lartë rrezikshmërie për kapjen e disa personave në kërkim për krime kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të cilët qarkullonin me armë zjarri, me fishekë në fole, gati për qitje, dhe përballja me këtë rrezik me vendosmëri dhe profesionalizëm, është tregues i nivelit të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit tuaj.

Ju shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim më të lartë për kurajën e treguar gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Enigma”, operacion me impakt të lartë te qytetarët dhe një rast pozitiv për rritjen akoma më shumë të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

Mbështes dhe inkurajoj të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit që të vijojnë me përkushtim çdo veprim që synon parandalimin dhe goditjen e krimit, në të gjithë territorin e vendit. Jemi së bashku në betejat e përditshme për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për të gjithë” – shkruan Proda.