
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim në Dayton me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, në kuadër të një mbledhjeje të NATO-s, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve dhe ftoi investitorët amerikanë të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria.
Në këtë takim, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për partneritetin strategjik dhe mbështetjen historike të SHBA-së, veçanërisht në reforma kyçe si ajo në drejtësi, modernizimi i Forcave të Armatosura, zhvillimi demokratik dhe siguria kibernetike.
“Jemi mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm që SHBA ka luajtur në demokratizimin dhe transformimin e Shqipërisë,” u shpreh Presidenti Begaj, duke vlerësuar veçanërisht ndihmën në reformën në drejtësi dhe mbështetjen për institucionet e vendit.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, duke ftuar kompanitë amerikane të investojnë në sektorë strategjikë si turizmi, infrastruktura, teknologjia, siguria kibernetike dhe energjia e rinovueshme.
Presidenti Begaj vlerësoi rolin e SHBA në stabilitetin rajonal dhe theksoi nevojën për praninë e vazhdueshme amerikane në Ballkan si faktor kyç për paqen dhe sigurinë.