
Dhjetëra fëmijë në qytetin e Gramshit kanë shfaqur shenja helmimi gjatë kësaj jave, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror.
Shërbimi i ushqimit në këtë institucion ofrohet nga një kompani private përmes sistemit të kateringut.
BW raporton se të paktën 70 fëmijë janë paraqitur me simptoma të forta si të vjella, temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe përzierje, dhe janë dërguar për trajtim në spitalin e qytetit.
Fillimisht, prindërit dyshuan për një virus stinor, por analizat mjekësore kanë treguar intoksikacion nga salmonela një bakter që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar.
Prindërit shprehen të alarmuar dhe kritikojnë autoritetet lokale për mungesë transparence, pasi situata është mbajtur e fshehtë për disa ditë, pavarësisht përmasave të shqetësimeve shëndetësore.
Ndërkohë, ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shëndetësore apo arsimore mbi këtë ngjarje që dyshohet të jetë shumë më serioze se sa është raportuar deri më tani.