
Bashkimi Evropian ka reaguar pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife prej 50% ndaj të gjitha mallrave që eksportohen nga BE drejt SHBA, përcjell BBC. Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, tha se BE mbetet e angazhuar për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por jo nën presion.
“Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar për të siguruar një marrëveshje që funksionon për të dy palët,” deklaroi Šefčovič pas një bisede me Përfaqësuesin e Tregtisë së SHBA, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick. “Tregtia BE-SHBA është e pazëvendësueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo kërcënimet. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona.”
Deklaratat vijnë pasi Trump shprehu zhgënjimin e tij për ecurinë e ngadaltë të negociatave, duke paralajmëruar se më 1 qershor do të hyjë në fuqi tarifa e re. Ai shtoi se produktet e ndërtuara apo prodhuara në SHBA nuk do të përfshihen në taksë.
“Unë nuk po kërkoj një marrëveshje – ne e kemi vendosur marrëveshjen,” deklaroi Trump për gazetarët, por la hapësirë për një ndryshim qëndrimi nëse ndonjë kompani evropiane bën një investim të madh në SHBA.
Vendet anëtare të BE-së kanë reaguar me shqetësim ndaj paralajmërimeve të Trump, duke i quajtur të dëmshme për të dyja palët.
“Kjo rrugë nuk është e nevojshme,” tha Kryeministri irlandez Micheál Martin. “Negociatat janë mënyra e vetme e qëndrueshme për të ecur përpara.”
Ministri francez i Jashtëm, Laurent Saint-Martin, theksoi nevojën për ulje tensionesh, por shtoi se Franca është e gatshme të përgjigjet. Ndërsa Ministrja e Ekonomisë së Gjermanisë, Katherina Reiche, deklaroi se BE duhet të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje me SHBA.
Kryeministri holandez Dick Schoof theksoi se përvoja ka treguar që tarifat në negociata me SHBA mund të rriten dhe ulen, ndaj mbështeti strategjinë e BE-së në këtë proces.
SHBA është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të BE-së, me eksportet evropiane drejt SHBA që kaluan shifrën prej 600 miliardë dollarësh në vitin 2024, ndërkohë që importet nga SHBA kapën vlerën e 370 miliardë dollarëve.
Megjithatë, marrëdhënia është përkeqësuar nga akuzat e Trump për një deficit tregtar të padrejtë, veçanërisht në sektorët e automobilave dhe bujqësisë. Ai ka kërcënuar gjithashtu me tarifa ndaj produkteve të teknologjisë si iPhone, nëse nuk prodhohen në SHBA.
Sipas analistëve, këto zhvillime mund të shkaktojnë një tronditje të re ekonomike globale. Tregjet reaguan negativisht, me indekset kryesore në SHBA dhe Evropë që pësuan rënie në përfundim të javës – S&P 500 ra me 0.7%, ndërsa DAX gjerman dhe CAC 40 francez humbën më shumë se 1.5%.
BE ka pezulluar përkohësisht një paketë masash hakmarrëse, përfshirë një tarifë 25% ndaj mallrave amerikane me vlerë 18 miliardë euro dhe po konsultohet për masa shtesë për importe në vlerën e 95 miliardë eurove.