
Shqipëria ka hapur zyrtarisht grupkapitullin e katërt në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për grupkapitullin “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke e çuar në katër numrin e grupkapitujve të hapur nga gjashtë gjithsej.
Konferenca e 5-të Ndërqeveritare u mbajt në Bruksel, ku Shqipëria u përfaqësua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe ministrja Adea Pirdeni.
Ministri Hasani e cilësoi hapjen e këtij grupkapitulli si një reflektim të progresit të deritanishëm në rrugën drejt BE-së, ndërsa theksoi se procesi mbetet sfidues dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
Grupi i kapitullit të hapur përfshin fusha si politikat ekonomike dhe monetare, tatimet, punësimi, arsimi, kultura, transformimi digjital dhe politika industriale. Zbatimi i standardeve evropiane në këto sektorë konsiderohet si thelbësor për afrimin me praktikat e vendeve anëtare.
Kryeministri Edi Rama, përmes një reagimi në rrjetet sociale, u shpreh se ritmi i hapjes së kapitujve ka qenë i lartë gjatë muajve të fundit, duke theksuar objektivin për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e përshëndeti hapjen e grupkapitullit të tretë, duke e cilësuar si një hap që mund të ndikojë në forcimin e ekonomisë shqiptare dhe në afrimin me BE-në.
Që prej tetorit 2024, Shqipëria ka hapur katër grupkapituj: “Themelorët”, “Marrëdhëniet me jashtë”, “Tregu i brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Dy grupkapitujt e mbetur janë “Axhenda e Gjelbër” dhe “Bujqësia dhe Kohezioni”. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar synimin për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, por procesi mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e kritereve dhe vlerësimi i rregullt nga institucionet e BE-së.