
Në kryeqytet janë regjistruar disa ngjarje shqetësuese. Një fëmijë 2-vjeç, shtetas holandez, ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një hoteli në Rinas dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Po ashtu, një vajzë 16-vjeçare dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh në banesën e saj dhe po trajtohet nga specialistët.
Policia e Tiranës njoftoi gjithashtu arrestimin e disa personave për dhunë, konflikte fizike dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt, përfshirë edhe raste në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. D., 40 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mashtrimi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. Sh., 60 vjeçe, J. Sh., 29 vjeç, Y. Sh., 34 vjeç, M. N., 52 vjeçe dhe M. N., 21 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 49 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 43-vjeçar.
Specialistët e qarkullimit rrugor vunë në pranga shtetasit:
-A. M., 27 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur në bulevardin “Migjeni”, këmbësorin, shtetasin O. D., 66 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve;
-B. Sh., 51 vjeç dhe J. H., 31 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
-A. M., 20 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 20 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në menyrë të parregullt”.
Më datë 22.05.2025:
-ka rënë aksidentalisht, nga kati i tretë i hotelit në Rinas, ku qendronte së bashku me prindërit, një 2-vjeçar holandez. Aktualisht 2-vjeçari është në kujdesin e mjekëve;
-dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh, në banesë, një 16-vjeçare. Ajo është në kujdesin e mjekëve.
Grupe hetimore po punojnë për dokumentimin e rrethanave të të dyja rasteve.