
Policia greke ka vënë në pranga Mikel Selimajn, 46 vjeç, me origjinë nga Vlora, i dyshuar si autor i vrasjes së Altin Arapajt, 41 vjeç, trupi i të cilit u gjet dy ditë më parë pranë një vreshti në zonën e Rafinës.
Selimaj u arrestua në një apartament me qira në Glyka Nera, në periferi të Athinës, pasi pronari i banesës kishte njoftuar policinë, i shqetësuar për mungesën e kontaktit me qiramarrësin që nga mëngjesi. Pas përpjekjeve për të hyrë në banesë me ndihmën e një tekniku, Selimaj hapi vetë derën dhe u identifikua menjëherë nga policia si personi i shpallur në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes, kur Arapaj kishte arritur të telefononte gruan e tij pak para se të humbiste jetën, duke i thënë: “Më qëlloi Keli. Më ndihmo. Kërko dhe më gjej.” Ky mesazh alarmoi autoritetet, të cilat e lokalizuan vendndodhjen e tij përmes gjurmëve të celularit dhe më pas gjetën trupin e tij pa jetë në një vresht.
Sipas hetimeve paraprake, Selimaj, Arapaj dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë – ende në kërkim – ishin takuar më herët në plazhin e Lucës dhe më pas kishin udhëtuar me makinën e Selimajt. Në një ndalesë në një fushë, debati mes Selimajt dhe viktimës eskaloi në përplasje fizike, që përfundoi me vrasjen e Arapajt, i cili u qëllua me armë zjarri në fytyrë.
Të dy, si viktima ashtu edhe i dyshuari, rezultojnë me precedentë penalë për trafik droge. Policia greke dyshon se konflikti mes tyre lidhej pikërisht me pazare droge. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.