Vendosni fjalën kyçe....

52-vjetori i Revoltës së Spaçit përkujtohet me koncertin “Tingujt e Kujtesës”



Më 21 maj, në përkujtim të Revoltës së Spaçit, ish-të burgosur politikë, familjarë të tyre dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën në hapësirat e ish-Kampit të Punës së Detyruar në Spaç. Në 52-vjetorin e kësaj ngjarjeje, kujtesa historike u soll përmes artit, me edicionin e katërt të koncertit “Tingujt e Kujtesës”, organizuar nga fondacioni kujto.al.

Përmes poezive dhe këngëve të krijuara në burgjet dhe galeritë e Spaçit, të interpretuara në skenë, u evokuan kujtimet për të përndjekurit dhe rezistencën e tyre. Poezitë e autorëve si Havzi Nela dhe Visar Zhiti, të interpretuara nga aktori Jozef Shiroka, shoqëruan momentet më të ndjera të aktivitetit.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili e cilësoi ngjarjen si një përjetim emocional dhe të rëndësishëm për të reflektuar mbi të kaluarën.

Revolta e Spaçit më 1973 mbetet një nga aktet më të njohura të qëndresës ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Aktiviteti u mbështet nga Programi Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe fondacioni Konrad Adenauer, me synimin për të mbajtur gjallë kujtesën e viktimave të persekutimit politik dhe për të promovuar ndërgjegjësimin historik.