
Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite në SHBA u vranë me armë zjarri të mërkurën në mbrëmje jashtë një muzeu hebre në qendër të Uashingtonit, në një ngjarje që policia e cilësoi si të qëllimshme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:05 me orën lokale (01:05 GMT), në një zonë të frekuentuar turistike, pranë muzeve dhe ndërtesave qeveritare, përfshirë edhe zyrën e FBI-së.
Autori, i identifikuar si Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Çikago, u ndalua menjëherë pas sulmit nga forcat e sigurisë së muzeut, pasi kishte hyrë brenda ndërtesës.
Sipas shefes së Policisë Metropolitane të DC, Pamela Smith, i dyshuari u dëgjua duke brohoritur “Liri, Palestinë e lirë” në momentin e ndalimit.
Policia njoftoi se Rodriguez nuk ka pasur kontakte të mëparshme me autoritetet dhe nuk ka pasur sinjale që ta kishin vendosur atë në vëzhgim. “Nuk shohim asgjë në të kaluarën e tij që do ta kishte vënë në radarin tonë,” tha Smith./BBC
