
Ndikimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbi presidentin amerikan Donald Trump ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit, sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump të cituar në mediat izraelite.
Zyrtari thuhet se u ka thënë bashkëpunëtorëve se, ndërsa më parë ndikimi i Netanyahut mbi Trump vlerësohej “9 nga 10”, tani ai ka rënë në një nivel “vetëm 3 ose 4”.
Në kontrast të plotë, princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman (MBS), përshkruhet si zëri dominues që formëson qëndrimin e Trump ndaj Lindjes së Mesme.
Raporti thekson se vizita e parë jashtë vendit e Trump-it pas fitores në zgjedhjet e vitit 2024 ishte në Arabinë Saudite, ndërsa Izraeli u anashkalua, çka konsiderohet si një sinjal i qartë për prioritetet e tij në rajon.

Po ashtu, sipas të njëjtit zyrtar, vuajtjet dhe uria në Gaza janë kthyer befas në çështje qendrore për ekipin e Trump-it, një qëndrim që përputhet me narrativën saudite.
Trump nuk ka kundërshtuar as iniciativën e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Franca për të organizuar një konferencë në Nju Jork muajin e ardhshëm, më 17 qershor, që synon të promovojë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Konferenca pritet të përfshijë edhe figura të opozitës izraelite dhe aktorë të tjerë politikë.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe princi Mohammed po ushtrojnë presion mbi disa qeveri perëndimore që të njohin shtetin palestinez dhe ta shpallin këtë gjatë samitit.
Në një zhvillim të ndërlidhur, Bloomberg raporton se Franca dhe Arabia Saudite po hartojnë një propozim për çarmatosjen e Hamasit në këmbim të shndërrimit të tij në një forcë thjesht politike, me qëllim që të përfshihet në një qeveri të ardhshme palestineze.
Izraeli e ka refuzuar prerazi çdo plan që i jep Hamasit legjitimitet politik pas konfliktit aktual.
Zyrtari amerikan, duke folur kritikisht për Netanyahun, sugjeroi se lideri izraelit tani ka më pak vlerë në sytë e Trump-it sesa kishte gjatë presidencës së Joe Biden.
Ai përmendi një konferencë të fundit për shtyp të Netanyahut, ku ky i fundit bëri komente të diskutueshme mbi sulmet e 7 tetorit, duke pyetur retorikisht: “A është ai me ne vërtet?”
Ndërsa shumë nga rrethi i Trump-it vijojnë të mbështesin Netanyahun dhe Izraelin, komentet e fundit nxjerrin në pah rivalitetet e brendshme dhe aleancat e reja që po formësohen përreth presidentit amerikan, duke sjellë sfida të reja për Netanyahun në arenën ndërkombëtare.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynetnews.com