Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Zhupës: Qeveria kërkon të japë me koncesion 37 hektarë park te Pallati i Brigadave për ndërtime, duhet ndryshuar ligji


Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka denoncuar qeverinë se kërkon të japë me PPP ndërtime në parkun e Liqenit Artificial, duke masakruar kësisoj Ansamblin e Pallatit të Brigadave.

Ajo tha se bëhet fjalë për rreth 37 hektarë park, që do i jepen me koncesion në kompanie private të zgjedhur nga qeveria.

“Kam ardhur këtu sot për të denoncuar një plan tjetër të dhënies me PPP nga qeveria shqiptare. Me planin e ri të menaxhimit që ka miratuar Ministria e Kulturës ka parashikuar që Pallati Presidencial i njohur si Pallati i Brigadave, por edhe një oaz prej 37 hektarësh, hapësirë parku, që është edhe pjesë e asamblit historik, të jepen me PPP. T’i jepen me koncension një privati të radhës, të zgjedhur nga qeveria. Në planin e ri të menaxhimit, i cili shumë shpejt do të shndërrohet edhe në një marrëveshje që mund të na sjellë Ministria e Kulturës, parashikohet që në këto ambjente, në këtë zonë të mbrojtur, të ndërtohet një hotel akomodues, siç thotë plani, për delegacione të huaja apo për personalitete shqiptare. Të ndërtohet restorant, siç thotë plani, të ndërtohet një parking për vizitorët, të ndërtohen mjedise çlodhëse për vizitorët.” – tha Zhupa.

Demokratja shtoi më tej se qeveria e ka lënë në harresë ansamblin historik të Pallatit të Brigadave me qëllim dhënien e tij me koncesion në vend që ta restauronte për të ruajtur vlerat historike të tij.

“Pra, i gjithë fokusi është se si të ndërtojmë në këtë oaz të gjelbër. Se si të kafshojmë parkun dhe se si këto hotele, restorante t’ja japim një privati për përfitimet e tij. Ndërkohë që ky është një objekt me vlera historike, një objekt i cili është ofruar nga qeveria italiane shumë kohë më parë që të restaurohej falas për shkak të faktit që është projektuar nga arkitektë italianë. Qeveria nuk e ka pranuar dhe e ka lënë në harresë këtë projekt që qeveria italiane i ka ofruar dhe e ka lënë të degradonte në këto 9 vite gjendja e Pallatit të Brigadave me arsyetimin që ashtu siç bënë me teatrin, për pak lagështi, të arsyetojnë që këtu duhet dhënë me koncension dhe PPP. Kjo është rruga që këta po zgjedhin për menaxhimin e trashëgimisë sonë kulturore.” – shtoi Zhupa.

Në fund deputetja theksoi se ka kërkuar në Kuvend ndryshimin e ligjit të trashëgimisë kulturore për t’i mbyllur rrugën çdo PPP-je që parashikon qeveria për trashëgiminë kulturore e pasurinë kombëtare.

“Dhe për ta ndalur këtë, ditën e mërkurë unë kam pasur senacën e parë dëgjimore në Komision pikërisht për ndryshimin e ligjit të trashëgimisë kulturore, për t’i mbyllur rrugën njëherë e mirë çdo PPP-je që parashikohet nga qeveria për trashëgiminë tonë kulturore, për pasurinë tonë kombëtare. Në rast se ligji miratohet, në rast se kalon ligji, mbyllet rruga njëherë e mirë këtyre koncensioneve, si ajo e Butritit, si kjo e Pallatit të Brigadave apo të tjera që kanë plane të menaxhimit të ngjashme. Mesa duket maxhoranca nuk e ka këtë vullnet sepse i ka ndarë planet dhe është gati për oligarkët e radhës, për bashkëpunëtorët e radhës, për klientët e radhës, për njerëzit që bashkëndajnë të mirat që vijnë nga trashëgimia kulturore shqiptare. Megjithatë ne nuk do ndalemi, do bëjmë gjithçka të jetë e mundur për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, vlerat historike që ato përfaqësojnë për çdo shqiptar.” – mbylli Zhupa.