Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Vengu pret komandantin e FSK: Shqipëria krah Kosovës për garantimin e stabilitetit në rajon


Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, priti sot në një takim zyrtar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit strategjik dhe vëllazëror në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, i konsideruar si një element kyç për stabilitetin rajonal dhe për orientimin e përbashkët drejt integrimit euroatlantik.

Ministri Vengu vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit me Kosovën dhe rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Adriatikut (US-A5).

Në diskutimet mes palëve u trajtua edhe situata e sigurisë në rajon. U dënuan ashpër sulmet terroriste dhe kriminale në veri të Kosovës, si dhe tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ministri Vengu theksoi se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë përkrah Kosovës për garantimin e një sigurie të qëndrueshme rajonale.

Ai nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s, KFOR, si garant i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ministri Vengu dhe gjenerallejtënant Jashari theksuan pesë shtyllat kryesore për forcimin e FSK-së si një forcë moderne dhe territoriale: kapitali njerëzor, modernizimi dhe zhvillimi i kapaciteteve, industria ushtarake dhe inovacioni, qëndrueshmëria kombëtare (duke përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe civile), si dhe infrastruktura kritike.

Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes është konkretizuar me pjesëmarrjen aktive në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2025”, ku të dy vendet luajnë një rol të rëndësishëm.

Një tjetër fushë me rëndësi strategjike është ajo e arsimit ushtarak. Akademia e Forcave të Armatosura e Shqipërisë vijon të ofrojë bursa dhe kurse për studentët dhe oficerët nga Kosova, ndërkohë që po shqyrtohen kuota të veçanta për specialitete prioritare në universitetet publike.

Gjithashtu, u diskutua edhe për mundësinë e tërheqjes së burimeve njerëzore nga diaspora dhe individët me shtetësi të dyfishtë, si dhe për nxitjen e kthimit të profesionistëve me aftësi të larta në Shqipëri dhe Kosovë përmes stimujve konkretë.

Plani i bashkëpunimit dypalësh për vitin 2025 përfshin 64 aktivitete konkrete, përfshirë takime, trajnime, shkëmbim informacioni dhe stërvitje, të cilat tashmë janë në proces zbatimi.