
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë publike një situatë shqetësuese që lidhet me sigurinë e platformave digjitale të KQZ-së. Në një konferencë për shtyp, ai njoftoi se institucionet e KQZ-së, përfshirë sistemin e regjistrimit të votuesve (PER), janë bërë objekt i sulmeve të organizuara dhe të sofistikuara kibernetike.
Sipas Celibashit, gjatë 7 ditëve të fundit janë regjistruar rreth 192 milionë kërkesa, me një përqendrim ekstrem prej 5,700 kërkesash për sekondë. Ai theksoi se këto sulme nuk ishin të rastësishme, por të koordinuara dhe të ngjashme me sulmet kibernetike që janë shënuar edhe në vende si Franca apo Estonia.
“Platformat e KQZ-së, duke nisur nga PER, janë gjendur nën sulme kibernetike. Nga të dhënat rezulton se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të organizuara, të sofistikuara dhe jo të rastësishme. Të gjitha vijnë nga jashtë vendit”, deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se KQZ ka komunikuar me institucionet shtetërore përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe janë marrë masat e nevojshme për të mbrojtur integritetin e të dhënave dhe të proceseve zgjedhore.
Pavarësisht këtyre sulmeve, Celibashi siguroi opinionin publik se platformat digjitale të KQZ-së janë funksionale dhe të mbrojtura, duke garantuar se do të vijojnë të përmbushin detyrën në mënyrë transparente dhe të sigurt.