
Operacioni i koduar “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka çuar në një nga goditjet më të mëdha kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe rajon. Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 52 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali, ndërsa janë ekzekutuar 40 prej tyre. Në mesin e të arrestuarve janë edhe zyrtarë të shtetit dhe një avokat, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale dhe korrupsion.
Hetimet, që nisën në shtator të vitit 2021 dhe përfunduan në qershor të vitit 2022, dokumentuan ekzistencën e tre organizatave kriminale transnacionale, të ndara në nënstrukturime që vepronin nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe më tej në Evropë. Organizatat kishin rol të ndarë mes trafikimit të drogës, shpërndarjes dhe pastrimit të parave. Hetuesit kanë dokumentuar dërgimin e 255 kilogramëve kokainë dhe heroine të pastër, ndërsa paratë e përfituara nga trafiku ktheheshin në Shqipëri me autobusë nga Puglia, nëpërmjet shoferëve dhe rrjetit të transportit, për një vlerë totale mbi 4.5 milionë euro.
Në këtë kuadër, janë sekuestruar edhe pasuri të konsiderueshme që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, përfshirë tre restorante në Durrës, një bar-kafe, gjashtë shoqëri tregtare si dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Një pjesë e aktiviteteve të pastrimit të parave përfshinte edhe transferime në kriptomonedha. Sipas prokurorit Vladimir Mara, janë dokumentuar jo vetëm episode të trafikimit të drogës dhe organizimit kriminal, por edhe vepra të rënda korruptive. Ai deklaroi se janë marrë masa sigurimi nga GJKKO për disa zyrtarë shtetërorë dhe një avokat, ndërsa është sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash në vlerën e 3 milionë eurove cash.
Në listën e 14 shqiptarëve për të cilët është urdhëruar arrest me burg përfshihen emra si: Ekil Nderjaku, Indrit Tafili, Gertin Aliu, Adi Çoba, Ervis Deti, Agron Ganaj, Zenit Shtraza, Genci Telollari, Redi Tusha, Ervis Doçi (Visi i Pojës), Nuredin Kiptiu, Arsen Leskaj, Erigels Presi dhe Leonard Shakaj.
Prokurori italian, Antonio Rossi, ka deklaruar se mafia shqiptare përbën sot një nga fuqitë më të mëdha kriminale në Evropë dhe se është një organizatë tepër e strukturuar, që bashkëpunon ngushtë me klane të njohura italiane dhe ka lidhje në Amerikën Latine. Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani, e cilësoi këtë operacion si goditje ndaj një prej grupeve më të rëndësishme kriminale në vend.
Hetimet u bazuan edhe në përgjime telefonike, video dhe rikuperimin e bisedave të koduara nga platforma SkyECC, të cilat zbuluan komunikimin dhe koordinimin mes grupeve kriminale, rolet e tyre, dërgesat e drogës dhe rrjetin e pastrimit të parave.
Operacioni “Ura” konsiderohet një sukses i madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane në goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.