Vendosni fjalën kyçe....

Ngrohja globale përshpejton shkrirjen e akullit në Groenlandë e Antarktidë, rritja e detit do zhvendosë miliona njerëz


Shtresat e akullit në Groenlandë dhe Antarktidë janë në rrugën e shkrirjes së shpejtë, duke kërcënuar me rritje të nivelit të detit me disa metra dhe duke detyruar migrim masiv dhe “katastrofik” nga zonat bregdetare – madje edhe nëse bota arrin të përmbushë objektivin për të kufizuar ngrohjen globale brenda 1.5 gradë Celsius, sipas një studimi të ri shqetësues.

Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë ka analizuar kufirin e “sigurt” të ngrohjes për mbijetesën e shtresave të mëdha të akullit. Ata përdorën të dhëna nga satelitët, modele klimatike dhe prova të së kaluarës si bërthama akulli, sedimente detare dhe madje edhe ADN nga oktapodët, për të ndërtuar një panoramë të plotë të rreziqeve.

Ajo që zbuluan, përshkruan një realitet të zymtë: edhe 1.5°C ngrohje mund të mos jetë e mjaftueshme për të shmangur shkrirjen masive të akullit.

Ndërkohë që bota është zotuar të mbajë rritjen e temperaturës globale nën 1.5°C mbi nivelet para-industriale për të shmangur pasojat më ekstreme të ndryshimeve klimatike, realiteti është shumë më i zymtë. Jo vetëm që ky objektiv është gjithnjë e më i paarritshëm, por sipas parashikimeve, bota po shkon drejt një ngrohjeje prej 2.9°C deri në vitin 2100.

Gjetja më alarmuese e studimit, i publikuar të martën në revistën Communications Earth and Environment, është se edhe nëse temperatura mbetet në nivelin aktual prej 1.2°C, kjo prapëseprapë mund të shkaktojë tërheqje të shpejtë të shtresave të akullit dhe rritje të rrezikshme të nivelit të detit.

Shtresat e akullit në Groenlandë dhe Antarktidë përmbajnë mjaftueshëm ujë për të rritur nivelin global të deteve me afro 213 metra – një skenar ekstremisht i pamundur, por që tregon përmasat e rrezikut nëse humbja e akullit vazhdon.

Që nga vitet 1990, shkrirja e akullit është katërfishuar. Aktualisht, rreth 370 miliardë ton akull humbasin çdo vit. Kjo është bërë kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të detit, ndërsa ritmi i kësaj rritjeje është dyfishuar në 30 vitet e fundit.

Situata është drejt përkeqësimit. Një sërë studimesh paralajmërojnë se rritja e temperaturës me 1.5 gradë Celsius – objektivi që bota ka vendosur për të shmangur ndikimet më të rënda të krizës klimatike – është tashmë “shumë e lartë” për të parandaluar shkrirjen e pakthyeshme të shtresave të mëdha të akullit në Groenlandë dhe Antarktidë.

Sipas një studimi të fundit, edhe me këtë nivel ngrohjeje, njerëzimi përballet me perspektivën e një rritjeje të konsiderueshme të nivelit të detit gjatë shekujve të ardhshëm, që do të prekë thellësisht qytetërimet bregdetare.

“Ngrohja prej 1.5 gradë nuk e ngadalëson rritjen e nivelit të detit – përkundrazi, ajo e përshpejton ndjeshëm atë proces,” u shpreh Chris Stokes, një nga autorët e studimit dhe ekspert për akullnajat në Universitetin e Durhamit.

Ky është një kërcënim ekzistencial për popullatat bregdetare. Aktualisht, rreth 230 milionë njerëz jetojnë në zona më pak se 1 metër mbi nivelin e detit. Edhe ndryshime të vogla në sasinë e akullit që ruajnë Groenlanda dhe Antarktida do të kenë ndikim të madh, duke riformësuar vijat bregdetare globale dhe duke shkaktuar zhvendosje masive të popullsisë dhe dëme që kapërcejnë çdo mundësi përshtatjeje.

Studiuesit zbuluan se deri në fund të këtij shekulli, detet mund të rriten me rreth 1 centimetër në vit – që përkthehet në 40 centimetra për 100 vjet, brenda jetëgjatësisë së brezit të ri të sotëm.

“Në atë nivel, do të shohim një migrim masiv nga tokat bregdetare, në një shkallë që nuk është parë kurrë më parë në historinë e qytetërimit modern,” paralajmëroi Jonathan Bamber, një tjetër autor i studimit dhe glaciolog në Universitetin e Bristolit.

Ndryshimi klimatik nuk ndodh në mënyrë lineare, dhe nuk është e qartë se kur saktësisht do të nisë tërheqja e shpejtë apo kolapsi i shtresave të akullit.

Por ajo që është veçanërisht shqetësuese, sipas autorëve, është se pragjet “e sigurta” të temperaturës për të shpëtuar akullin po bien vazhdimisht, teksa shkencëtarët kuptojnë gjithnjë e më shumë se sa të ndjeshme janë këto shtresa ndaj një planeti që ngrohet me shpejtësi.

Modelimet e hershme sugjeronin se shtresa e akullit e Groenlandës do të destabilizohej vetëm nëse temperaturat globale do të rriteshin deri në 3°C. Por vlerësimet më të fundit tregojnë se mjaftojnë vetëm 1.5°C, një nivel që bota është shumë afër ta arrijë – ose tashmë e ka kaluar përkohësisht.

Sipas autorëve të studimit, vetëm duke kufizuar ngrohjen globale në rreth 1°C mbi nivelet para-industriale, mund të shmanget shembja e shpejtë dhe e pakthyeshme e njërës apo më shumë nga shtresat kryesore të akullit. Por arritja e një niveli kaq të ulët kërkon shkurtime drastike në përdorimin e lëndëve djegëse fosile – një objektiv që në praktikë duket gjithnjë e më i pamundur, pasi shumë vende, përfshirë edhe SHBA-në, vazhdojnë të mbështeten tek nafta, qymyri dhe gazi natyror.

“Bota tashmë po fillon të përjetojë disa nga skenarët më të këqij përsa i përket humbjes së akullit,” paralajmëron Chris Stokes, autor i studimit. “Ka shumë pak gjëra që po shohim sot e që na japin shpresë. Skenari më i mirë që mund të shpresojmë është që rritja e nivelit të detit të jetë e ngadaltë dhe e qëndrueshme,” shton ai.

Megjithatë, këto gjetje nuk nënkuptojnë që duhet të hiqet dorë nga objektivat klimatike. Çdo pjesë e një shkalle më pak në ngrohje përkthehet në pasoja më të buta për njerëzimin dhe ekosistemet. “Kufizimi i ngrohjes në 1.5°C do të ishte një arritje e madhe. Duhet të mbetet qëllimi ynë kryesor,” tha Stokes. “Por nuk duhet të kemi iluzione, edhe ky kufi nuk do ta ndalojë rritjen e nivelit të detit apo shkrirjen e shtresave të akullit, vetëm do ta ngadalësojë disi.”

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e CNN

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha