Vendosni fjalën kyçe....

Ish-politikani ukrainas pro-rus, ekzekutohet me armë pranë një shkolle në Madrid


Andriy Portnov, ish-këshilltar i ngushtë i ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar mëngjesin e së mërkurës, pranë një shkolle private në periferi të Madridit, ndërsa po linte fëmijët në shkollë.

Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi jashtë American School of Madrid, në zonën e pasur të Pozuelo de Alarcón. Portnov, 52 vjeç, sapo kishte hipur në makinën e tij, një Mercedes-Benz i zi, kur u qëllua disa herë në shpinë dhe në kokë.

“Disa persona e qëlluan nga prapa dhe më pas u larguan drejt një zone pyjore,” tha një burim nga ministria e Brendshme e Spanjës për mediat.

Mediat vendase raportojnë se ngjarja ndodhi rreth 30 minuta pasi kishte nisur mësimi, dhe Portnov sapo kishte dorëzuar fëmijët në shkollë, përcjell The Guardian.

Ekipet mjekësore konstatuan vdekjen e tij në vendngjarje, pasi ai kishte marrë të paktën tre plumba.

Policia rrethoi menjëherë zonën përreth shkollës, ndërsa në operacionin për kapjen e autorëve u përfshinë edhe helikopterë dhe dronë.

Portnov ishte një figurë e njohur pro-ruse në politikën ukrainase dhe kishte ndihmuar në hartimin e legjislacionit kundër protestuesve të revolucionit të 2014-s në Ukrainë, pak para se Janukoviç të rrëzohej nga pushteti pas një kryengritjeje popullore. Pas rrëzimit të regjimit, Portnov u largua nga Ukraina.

Në vitin 2015 raportohej se po qëndronte në Rusi, ndërsa më pas u zhvendos në Austri. Mediat e lirë perëndimore raportuan se ai jetonte në Madrid të paktën që nga prilli i vitit 2024.

Në vitin 2018, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) hapi një hetim për tradhti ndaj tij, duke e akuzuar për përfshirje në aneksimin e paligjshëm të gadishullit të Krimesë nga Rusia – një çështje që u mbyll në vitin 2019.

Në vitin 2021, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Portnovit, duke deklaruar se ai kishte ndërmarrë hapa për të kontrolluar sistemin gjyqësor ukrainas, për të ndikuar në legjislacionin përkatës dhe për të emëruar zyrtarë besnikë në poste të larta gjyqësore.

Ai ka qenë gjithashtu subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat më pas janë hequr.

Që nga nisja e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, Spanja ka qenë skenë e disa ngjarjeve të profilit të lartë me sfond politik dhe ndërkombëtar.

Në vitin 2022, gjashtë bomba me postë iu dërguan disa objektivave, përfshirë kryeministrit Pedro Sánchez dhe ambasadave të Ukrainës dhe SHBA-së. Ndërsa në shkurt 2024, një pilot rus i dezertuar në Ukrainë u gjet i vrarë me armë pranë qytetit bregdetar të Alicante-s.

Vrasja e Portnov shënon atentatin e dytë të profilit të lartë në Madrid brenda dy viteve. Në vitin 2023, ish-politikani i djathtë dhe ish-nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alejo Vidal-Quadras, mbijetoi pasi u qëllua në fytyrë nga një person i maskuar.

Autoritetet spanjolle vijojnë hetimet dhe nuk kanë dhënë ende një pistë të qartë mbi motivin e vrasjes së Portnov.