
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një konferencë të përbashkët për shtyp me autoritetet italiane dhe përfaqësues të Eurojust, deklaroi se operacioni i fundit antidrogë dha një goditje të rëndësishme ndaj një prej grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri.
Ai theksoi se suksesi ishte rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe italiane. Dumani falënderoi prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, Policinë e Shtetit si dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Eurojust dhe Europol, për mbështetjen gjatë hetimeve.
“U arrit t’i jepet një goditje e rëndësishme një nga grupet më të rëndësishme kriminale në Shqipëri të përfshirë në trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Ky është një shembull e asaj që mund të arrihet në rast se institucionet bashkëpunojnë. Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, policinë e shtetit dhe partnerët italianë që sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Falenderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera”, tha ai.