Vendosni fjalën kyçe....

Alarm për eksploziv në Durrës, forcat xheniere kryejnë shpërthim të kontrolluar pranë “Velierës”


Një alarm për eksploziv mobilizoi forcat e sigurisë në Durrës mbrëmjen e djeshme, pasi kalimtarë të rastit njoftuan për një objekt të dyshimtë në zonën pranë “Velierës”, buzë shëtitores bregdetare. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe vendosi perimetrin e sigurisë, i cili u mbajt i mbyllur deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm.

Në terren u angazhuan edhe forcat xheniere, të cilat realizuan një shpërthim të kontrolluar për të verifikuar natyrën e objektit. Dyshohet se mund të ketë qenë një lëndë plasëse, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe origjinën e objektit të dyshimtë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin kalimin në këtë segment deri në normalizimin e plotë të situatës.