Vendosni fjalën kyçe....

Takim në Ambasadën Franceze pas zgjedhjeve: Celibashi, Dumani dhe Çela diskutojnë me ambasadorët dhe ODIHR-in për krimet zgjedhore


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, zhvilluan këtë të martë një takim të rëndësishëm në Ambasadën e Francës në Tiranë, me praninë e 9 ambasadorëve të vendeve partnere, përfaqësuesve të ODIHR-it dhe drejtuesve të misionit të këtij institucioni në Shqipëri.

Ky ishte takimi i tretë i këtij formati dhe i pari pas përfundimit të procesit zgjedhor të 11 majit. Më parë, dy takime të ngjashme janë mbajtur në ambasadat britanike dhe gjermane, ku është diskutuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor, standardet demokratike dhe trajtimin e fenomeneve kriminale të lidhura me zgjedhjet.

Përfaqësuesit shqiptarë të drejtësisë dhe institucioneve zgjedhore kanë informuar partnerët ndërkombëtarë për masat e marra para dhe pas votimeve, si dhe për trajtimin e kallëzimeve për krime zgjedhore. Sipas të dhënave të publikuara nga Prokuroria e Përgjithshme më 14 maj, janë regjistruar 87 kallëzime për krime zgjedhore, nga të cilat 34 raste kanë kaluar në procedim penal, ndërsa 6 prej tyre janë referuar në SPAK.

Deri tani, janë vënë në pranga 7 persona në qarqet Tiranë, Lezhë, Elbasan dhe Fier, të dyshuar për veprime që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Takimi në ambasadën franceze synon të thellojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe forcimin e përgjegjshmërisë ligjore për çdo shkelje të konstatuar. Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ODIHR-in, kanë nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe ndëshkueshmërisë për rritjen e besimit të publikut në proceset demokratike në Shqipëri.