
Në 52-vjetorin e Revoltës së Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi në mjediset e KOD-it platformën numerike www.spaç.al një arkivë e hapur, një kujtesë historike që synon të ruajë, dokumentojë e edukojë brezat mbi krimet e komunizmit në Shqipëri.
Drejtoresha e autoritetit Gentiana Sula bëri me dije se faqja sjell për publikun, dëshmi dokumente, lista të të dënuarve,intervista, letërkëmbime, material të revolës së majit 1973 duke kthyer historinë e Spaçit në një mjet të fuqishëm për reflektim qytetar.
“Spaçi ka shumë gjëra të cilat duhen treguar. Kemi krijuar një koleksion të dokumentacionit arkivor. Fillon historia që nga dosja e objektit të rëndësisë së veçantë. Pastaj janë të gjitha proceset e dy mijë personave dhe pastaj sesi bëhen proçeset politike. Mënyra sesi është zhvilluar ky proces lë shumë për të dëshiruar. Është një shkelje e plotë e të drejtave të njeriut që në ligjet, arsye pra pse janë futur aty”. – tha Sula.
Ish-i dënuari politik Lek Mirakaj e quajti Revoltën e Spaçit ndër kulmet e krenarisë kombëtare ndërsa kërkoi nga autoritetet shtetërore vëmendje ndaj atyre që kanë vuajtur atë kohë në lëkurë.
“Në Revoltat e Spaçit dhe Qafës së Barit për herë të parë u përdorën për herë të parë parrullat “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” e cila pas 20 e ca vjetësh ishte motivi i lëvizjes studentore.Katër djem të rinj humbën jetën por na lanë një detyrë që ne të mos harrojmë. Shteti duhet të kujdeset dhe t’i garantojë një pension dinjitoz aq sa e marrin ata kriminelët.” – tha Mirakaj.
Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri Karl Bergner theksoi vlerën e kujtesës si themeli i një shoqërie të shëndetshme.
“Jeni ju dhe familjet e juaja që e keni paguar çmimin e lirisë, çfarë ka ndodhur në të kaluarën e Spaçit dhe kjo faqe sigurisht që kjo bëjë të mundur që kjo të kujtohet gjithnjë.”
Përmes faqes së internetit synohet një hap drejt ndërgjegjësimit të brezave për t’u ballafaquar me historinë për të nderuar të vërtetën dhepër të mbrojtur lirinë. Spaçi nuk është më një kamp i heshtur, por një zë i gjallë në kujtesën tonë të përbashkët.