Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse s’ka përparim në marrëveshjen e paqes mund të vendosim sanksione të reja ndaj Rusisë” – Rubio


Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka këmbëngulur se SHBA-ja do vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë nëse nuk ka përparim në një marrëveshje paqeje me Ukrainën dhe mohoi që Uashingtoni po zbut mbështetjen e tij ushtarake për Kievin.

Rubio po fliste në Senat një ditë pasi Presidenti Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike dyorëshe me presidentin rus Vladimir Putin për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Politikanët demokratë e kanë akuzuar Trumpin se ka zhgënjyer Ukrainën duke mos ushtruar presion ndaj Putinit për t’i dhënë fund luftës,. Duke dëshmuar para komitetit të marrëdhënieve të jashtme të Senatit të martën, Rubio u pyet nëse ai do mbështeste një projektligj të propozuar nga senatori republikan Lindsey Graham që do vendoste sanksione të reja drakoniane ndaj Rusisë.

Projektligji, i cili është krijuar për ta bërë më të vështirë për Rusinë financimin e luftës së saj, do vendosë një tarifë 500 për qind mbi importet nga vendet që blejnë naftën dhe gazin e saj, mes dispozitave të tjera.

“Nëse në fakt është e qartë se rusët nuk janë të interesuar për një marrëveshje paqeje dhe se ata duan të vazhdojnë të luftojnë në  Ukrainë, mund të vijmë fare mirë deri në atë pikë,” tha Rubio.

Por ai shtoi se Trump besonte se “nëse fillojmë të kërcënojmë me sanksione, rusët do ndalojnë së foluri. Ka vlerë që ne të jemi në gjendje të flasim me ta dhe t’i shtyjmë ata të shkojnë në tryezë”.

Rubio mohoi se Trump ishte i butë ndaj Putinit dhe këmbënguli se Uashingtoni kishte “të njëjtën levë sot mbi Rusinë që kishim nën administratën e mëparshme”, shkruan FT.

“Kur Vladimir Putin u zgjua këtë mëngjes, ai kishte të njëjtat sanksione ndaj tij që ka pasur gjithmonë që nga fillimi i këtij konflikti”, tha ai, duke shtuar se armët amerikane ende po derdheshin në Ukrainë.

“Putini nuk ka marrë asnjë koncesion të vetëm, nuk i kemi hequr asnjë sanksion të vetëm.”

Por ai këmbënguli se lufta do të përfundonte vetëm me një zgjidhje të negociuar dhe ishte e rëndësishme që SHBA të bënte gjithçka që mundej për të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve. “Ajo që presidenti po përpiqet të bëjë është t’i japë fund një lufte.”