Vendosni fjalën kyçe....

Dy sulme me thikë në Gjermani, plagosen 8 persona, autorët dyshohen emigrantë


Gjermania po përballet me një tjetër valë goditjesh me thikë në të cilat thuhet se emigrantët janë autorët e dyshuar.

Të dielën në mëngjes, pesë tifozë lokalë futbolli u plagosën, katër rëndë, pasi u sulmuan nga një burrë me thikë dhe një jatagan jashtë një lokali në qytetin e Bielefeld.

Viktimat, të moshës ndërmjet 22 dhe 27 vjeç, luftuan kundër sulmuesit, duke bërë që ai të largohej. Sipas policisë, ndërsa burri ikte, la pas një çantë me thika të shumta, një lëng që mbante erë benzine dhe dokumente personale që tregonin kombësinë siriane, raporton transmetuesi NTV.

Sulmuesi i dyshuar u arrestua të hënën në qytetin Heiligenhaus jashtë Düsseldorf, sipas Die Ëelt. Ai fillimisht hyri në vend pasi udhëtoi përmes Turqisë në Evropë dhe aplikoi për azil në Gjermani në vitin 2023. Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët i dha atij statusin e përkohshëm të mbrojtur, duke e lejuar atë të qëndronte në vend nëse kërkesa e tij do shqyrtohej, shkruan Breitbart.

E përditshmja gjermane Bild raportoi se policia po heton sulmin si një sulm të mundshëm terrorist nga i dyshuari 35-vjeçar.

Tre persona të tjerë, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, u plagosën në një goditje me thikë në një tjetër incident jashtë një blloku apartamentesh në qytetin Halle në Gjermaninë qendrore të dielën.

Vajza 11-vjeçare, një burrë 47-vjeçar dhe një 29-vjeçar janë shtruar në spital pas sulmit, ndërsa 29-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda. Sipas dëshmitarëve, dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje për zhurmën e fëmijëve në zonë.

Një 46-vjeçar emigrant nga Kosova raportohet se është arrestuar në lidhje me therjen me thikë.

Duke iu përgjigjur sulmeve, Marc Bernhard, një anëtar i parlamentit të Bundestagut të Gjermanisë për partinë populiste Alternativa für Deutschland, tha të hënën se “edhe pas 10 vitesh gjakderdhje, njerëzit ende flasin për ‘raste të izoluara’, qytetarët përjetojnë dhunë të importuar në rrugë çdo ditë”.

“Është koha për një kthesë të qartë: të mbrojmë siç duhet kufijtë, të dëbojmë vazhdimisht emigrantët e paligjshëm dhe në fund ta kthejmë sigurinë e popullatës përsëri prioritet. Gjermania është në teh të thikës.” shtoi politikani i AfD.