
Presidenti i mëparshëm i SHBA-së, Joe Biden, ka falënderuar për përkrahjen e madhe që ka marrë nga e gjithë bota pas njoftimit të së dielës se është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës.
“Kanceri na prek të gjithëve,” shkroi Biden në rrjete sociale të hënën në mëngjes. “Ashtu si shumë prej jush, unë dhe Jill kemi mësuar se jemi më të fortë në vendet ku jemi thyer. Faleminderit që na ngritët me dashuri dhe përkrahje.”
Zyra e Biden bëri të ditur se ai është diagnostikuar të premten me një formë të avancuar të kancerit të prostatës, me një rezultat Gleason 9 (Grupi i Gradës 5), dhe se sëmundja është përhapur në kocka.
Kjo formë e kancerit konsiderohet si shumë agresive, por sipas mjekëve, është e ndjeshme ndaj hormoneve, çka lejon trajtim efektiv, përcjell BBC.
Lajmi ka ngjallur edhe pyetje të reja në lidhje me gjendjen e shëndetit të Biden gjatë kohës që ishte në detyrë, dhe nëse kanceri mund të ketë qenë i pranishëm më parë pa u diagnostikuar.
Në një deklaratë, zyra e tij bëri të ditur se simptomat e para u shfaqën përmes problemeve urinare, të cilat çuan në zbulimin e një nodusi të vogël në prostatë.
Ndërkohë, shumë figura publike dhe politike kanë shprehur përkrahjen e tyre për Biden. Presidenti aktual Donald Trump, ish-presidenti Barack Obama dhe ish-nënpresidentja Kamala Harris janë ndër ata që kanë dërguar mesazhe solidariteti.
Edhe Mbreti Charles i Britanisë, i cili vetë po trajtohet për një formë të paidentifikuar të kancerit që nga viti 2024, i ka dërguar një letër private Bidenit për t’i uruar shërim të shpejtë.
Zëvendëspresidenti aktual JD Vance, megjithëse i ka uruar shëndet të mirë Bidenit, ka ngritur shqetësime nëse publiku amerikan ka qenë i informuar plotësisht për gjendjen shëndetësore të tij gjatë kohës në Shtëpinë e Bardhë.
“Na duhet të jemi të sinqertë për atë nëse ish-presidenti ishte në gjendje të përmbushte detyrën,” tha Vance, duke shtuar se fajin më të madh e mbajnë personat përreth tij sesa vetë Biden.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur pritet publikimi i një libri të ri me titull Original Sin: President Biden’s Decline, Its Cover-Up, and His Disastrous Choice to Run Again, që pretendon se Biden dhe stafi i tij kanë fshehur përkeqësimin e shëndetit të tij gjatë presidencës.
Libri përfshin pretendime se Biden nuk e kishte njohur aktorin George Clooney në një aktivitet për mbledhje fondesh vitin e kaluar dhe se stafi i tij kishte diskutuar mundësinë që ai të përdorte karrocë me rrota.
Gati një vit më parë, Biden u tërhoq nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 për shkak të shqetësimeve në rritje rreth shëndetit dhe moshës së tij.