
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, ka reaguar pas seancës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku dosja ndaj tij për fshehje të pasurisë u rikthye për herë të dytë në SPAK për hetime të mëtejshme. GJKKO i ka lënë Prokurorisë së Posaçme një afat prej një muaji për të kryer disa veprime shtesë hetimore.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Dogjani e cilësoi të gjithë procesin si të diktuar politikisht, duke mohuar çdo përfshirje në korrupsion. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve dhe kontrollin e sistemit të drejtësisë.
“Pavarësisht se nuk do të jem në Parlament, unë jam deputet i popullit. Jam votuar nga 7 mijë qytetarë dhe do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat e tyre,” deklaroi Dogjani, duke shtuar se ndodhet nën hetim vetëm për shkak të qëndrimeve të tij kundër qeverisë.
I pyetur për përgjegjësinë e Sali Berishës pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, Dogjani shmangu përgjigjen direkte, duke e zhvendosur përgjegjësinë te kryeministri: “Përgjegjësi duhet të mbajë Edi Rama për votat e vjedhura. Nuk është dëm vetëm për ne, por për qytetarët dhe për Shqipërinë.”
Ai përmbylli deklaratën e tij me një mesazh sfidues: “Nuk dorëzohem. Kur më bëjnë presion, bëhem edhe më i fuqishëm.”