Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori i BE-së Gonzato: Besoj njerëzit e dinë që jam homoseksual, po nuk abuzoj me pozicionin


Ambasadori i BE-së në Tiranë pohoi sot se është i martuar me një burrë por nuk abuzon me pozicionin që mban.

Ai e bëri deklaratën në javën kulturore europiane nën moton e BE-së: “Të bashkuar në diversitet”.

“Besoj se njerëzit e dinë që jam homoseksual, por nuk abuzoj me pozicionin që kam. U zhgënjeva pasi kemi patur vështirësi për të gjetur vendin ku do të organizohej, se njerëzit thoshin nuk do t’i tregojmë këto fotografi se kemi fëmijë, por ato janë foto me dashuri. Janë thjesht fotografi. Në Shqipëri duhet të arrihet ky ndryshim i mendësisë. Njerëzit të pranojnë larmishmërinë dhe mendoj që kjo do japë efektin e vet. Kemi muzikë dhe tematika të tjera si emigracioni që prek shqiptarët dhe marrëdhënia mes gjuhës e pushtetit. Të gjitha këto për të simuluar reflektim për sfidat me të cilat përballemi. Kultura është mjet i fuqishëm për të tejkaluar kufijtë dhe prandaj e bëmë këtë në partneritet me artistët”, tha Gonzato, shkruan Shqiptarja.

Përfaqësuesi më i lartë i Brukselit në Tiranë tha se është e vështirë sot të ekspozohesh në këtë formë por shtoi se nuk është kërcënim për njerëzit.

“Është e vështirë sot të ekspozohesh në këtë formë dhe bëhesh i cenueshëm, por më pëlqen të jem i sinqertë. Nuk kam diçka për të fshehur. Të shprehesh se kush je në të vërtetë nuk është e lehtë por e rëndësishme të jesh i ndershëm.  Mënyra si jam unë nuk është kërcënim për ju dhe ndjenjat që kam janë të njëjta me ju. Po ne jemi ndryshe, jemi me këtë diversitet dhe jemi edhe të njëjtë. Me pëlqen edhe ideja e ekspozitës ne kemi një thelb njerëzor dhe ju ndoshta e dini që unë kam qenë i martuar me një femër dhe më pas u martova me një burrë dhe problemet janë njësoj”, shtoi Gonzato.