
Një shpërthim me bombë jashtë një klinike fertiliteti në Palm Springs, Kaliforni, ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve. FBI e ka cilësuar ngjarjen si një “akt të qëllimshëm terrorizmi”.
Shpërthimi ndodhi pak para orës 11:00 me orën lokale (19:00 me orën e Britanisë) më pak se një milje nga qendra e qytetit Palm Springs, pranë disa bizneseve, përfshirë edhe klinikën American Reproductive Centers (ARC).
Klinika deklaroi se askush nga stafi apo pacientët e saj nuk është lënduar.
Zyrtarët e FBI-së thanë se kanë identifikuar një person të dyshuar në kuadër të hetimeve, por aktualisht “nuk po kërkojnë aktivisht për të”.
Një dëshmitar që ndodhej afër vendit të ngjarjes, tregoi se shpërthimi e rrëzoi nga biçikleta e tij. “Ishte aq i fuqishëm sa dëgjova xhama që thërmoheshin gjithandej”, tha ai, përcjell BBC.
Një tjetër dëshmitar, përshkroi një “zë të fuqishëm shpërthimi” dhe një re të madhe tymi. Ai pa fasadën e klinikës tërësisht të shkatërruar.
Kreu i zyrës së FBI-së në Los Anxhelos, Akil Davis, konfirmoi se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm:
“Ky ishte një akt i qëllimshëm terrorizmi. Hetimet do përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me terrorizëm të brendshëm apo ndërkombëtar.”
Shefi i policisë së Palm Springs, Andy Mills, shtoi se shpërthimi dëmtoi disa ndërtesa, disa prej tyre rëndë. Viktima ende nuk është identifikuar.
Kryetari i bashkisë së Palm Springs, Ron De Harte, tha për CBS News se shpërthimi duket se ka ndodhur “brenda ose pranë një automjeti”.
Siguria e klinikës
Klinika ARC konfirmoi se laboratori i saj, përfshirë vezët dhe embrionet, është plotësisht i sigurt dhe i padëmtuar.
“Po kryejmë një inspektim të plotë të sigurisë dhe kemi konfirmuar se operacionet tona dhe zonat sensitive mjekësore nuk janë prekur nga shpërthimi”, tha ajo në një deklaratë.
Megjithatë, drejtori i klinikës, Dr. Maher Abdallah, pranoi për agjencinë Associated Press se ambientet e zyrës janë dëmtuar.
“Nuk kam asnjë ide se çfarë ndodhi. Fatmirësisht, sot nuk kishim pacientë në klinikë,” u shpreh ai.
Sipas faqes zyrtare, klinika ARC është qendra e parë e fertilitetit me shërbime të plota dhe laborator IVF në luginën Coachella, duke ofruar shërbime për çifte heteroseksuale dhe homoseksuale, përfshirë vlerësim të fertilitetit, IVF, dhurim dhe ngrirje të vezëve, si dhe surrogaci.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, konfirmoi se autoritetet shtetërore po bashkëpunojnë ngushtësisht me ato federale, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka qenë e informuar mbi incidentin.
Hetimet vazhdojnë.