Vendosni fjalën kyçe....

“Mund të kemi eliminuar kreun e Hamasit Mohammed Sinwar” – Ministri izraelit i Mbrojtjes


Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha ushtria mund të ketë vrarë kreun e Hamasit, Mohammed Sinwar, një nga drejtuesit e fundit të mbetur të grupit që planifikoi sulmin e 7 tetorit 2023. Sipas Katz, Sinwar mund të ishte vrarë gjatë një sulmi të martën e shkuar.

Duke folur në një takim parlamentar me dyer të mbyllura, ministri i Mbrojtjes Katz tha se “bazuar në të gjitha  të dhënat, Mohammed Sinwar u vra” në një sulm të kryer në mjediset e Spitalit Evropian në Khan Younis”. Izraeli kishte në shënjestër infrastrukturën nëntokësore, të cilën tha ai, Hamasi po e përdorte poshtë spitalit, shkruan WSJ.

Zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë se gjashtë persona u vranë dhe më shumë se 40 u plagosën si rezultat i sulmit.

Ushtria izraelite nuk pranoi të komentonte nëse beson se Mohammed Sinwar ishte vrarë.

Sinwar mori detyrën si kreu i Hamasit në Gaza pasi Izraeli vrau vëllain e tij, udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, në tetor.

Vrasja e Mohammed Sinwar, një nga udhëheqësit kryesorë ushtarakë të Hamasit, do shënonte një fitore të rëndësishme për Izraelin, i cili është nën presion për të përfunduar luftën e tij 18-mujore në enklavë.