
Agjencia e inteligjencës izraelite Mossad ka gjetur mijëra dokumente, fotografi dhe sende personale që i përkasin agjentit legjendar izraelit Eli Cohen, 60 vjet pas ekzekutimit të tij në Siri.
Njoftimi erdhi të dielën, që shënon gjashtë dekada që kur Cohen u var publikisht në Damask më 18 maj 1965. Sipas Mossad, sendet u morën në një operacion klandestin dhe të ndërlikuar të kryer në bashkëpunim me një agjenci inteligjence partnere strategjike.
“Arkivi zyrtar sirian për Eli Cohen është sjellë në Izrael”, tha Mossad në një deklaratë.
“Ai përfshin afërsisht 2,500 artikuj që ishin ruajtut fort nga forcat siriane të sigurisë për dekada”.

Ndër materialet e kthyera janë testamenti origjinal i Cohen-it, i shkruar me dorë, i kompozuar vetëm disa orë para ekzekutimit të tij, dhe letra personale drejtuar familjes së tij në Izrael. Sendet e tjera të gjetura përfshijnë dokumente dhe pasaporta të falsifikuara, çelësa të banesës së tij në Damask dhe fotografi të Cohen së bashku me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë sirianë gjatë misionit të tij të fshehtë në vitet 1960.
Disa nga artikujt iu dorëzuan të dielën vejushës së Cohen, Nadia Cohen, gjatë një ceremonie ku morën pjesë kryeministri Benjamin Netanyahu dhe drejtori i Mossad, David Barnea.
Arkiva përmban gjithashtu dosje të inteligjencës siriane të përpiluara pas arrestimit të Cohen në janar 1965, duke përfshirë të dhënat hetimore, shënimet e vëzhgimit dhe fletoret nga banesa e tij. Disa dokumente japin hollësi mbi detyrat e misionit të Mossad, të tilla si gjurmimi i objektivave specifike dhe mbledhja e inteligjencës mbi bazat ushtarake siriane në Lartësitë Golan.

Një dokument i gjetur nga Siria ishte vendimi origjinal i gjykatës që dënoi Cohen me vdekje. Ai përfshin një vendim që lejon kryerabinin e komunitetit hebre të Damaskut, Nissim Andabo, ta shoqërojë atë në përputhje me traditën hebraike.
Një dosje e madhe e etiketuar “Nadia Cohen” ishte gjithashtu në mesin e materialeve të gjetura, duke zbuluar se inteligjenca siriane ndoqi nga afër fushatën e saj globale për të siguruar lirimin e bashkëshortit të saj, duke përfshirë thirrjet për krerët botërorë dhe presidentin sirian.
Netanyahu e quajti Cohen “një legjendë”, duke thënë se veprimet e tij ndihmuan në formësimin e rezultatit të Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.
“Arkivi i Eli Cohen, i sjellë këtu me një përpjekje të veçantë, do edukojë brezat dhe do pasqyrojë angazhimin tonë të pandërprerë për të kthyer të gjithë të zhdukurit, robërit dhe pengjet tanë”, tha ai.

Barnea e përshkroi rikthimin e sendeve si “një arritje të rëndësishme me vlerë të thellë morale dhe historike” dhe tha se përpjekjet për të gjetur vendin e varrimit të Cohen në Siri janë në vijim.
“Ne do vijojmë të punojmë për të sjellë në shtëpi të gjithë të zhdukurit, të rënët dhe të rrëmbyerit e Izraelit, ata që jetojnë dhe ata që ranë, për t’u varrosur në Izrael.”
Në dhjetor, gazeta libaneze Al-Akhbar e lidhur me Hezbollahun raportoi se Izraeli kishte kontaktuar me burime në Siri dhe rajon në një përpjekje për të gjetur varrin e Cohen. Zyrtarët izraelitë kanë shpresuar prej kohësh se një ndryshim i ardhshëm në peizazhin politik të Sirisë mund të çojë në një përparim në këtë drejtim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynetnews
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani