Vendosni fjalën kyçe....

Policia në Rumani largon kandidatin e djathtë nga qendra e votimit, e ndalon të japë konferecë shtypi (Video)


Policia rumune ka urdhëruar largimin e kandidatit për president të Rumanisë, kreut të partisë nacionaliste “Aleanca për Unitetin e Rumunëve” (AUR) George Simion dhe favoritit të zgjedhjeve të anuluara të vitit të kaluar, Calin Georgescu, nga një qendër votimi në periferi të Bukureshtit.

Sipas mediave të huaja, politikanët në fjalë donin të bënin deklarata për shtyp pas votimit, por policia u kërkoi që të largohen nga mjedisi i qendrës së votimit.

“Kjo që sapo bëtë nuk është gjë e mirë”, citohet t’i ketë thënë Simion, policit.

Përveç pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, incident u shfaq edhe në faqen e tij në Facebook.

Siç raportojnë mediat, një nga zyrtarët e sigurisë i njoftoi politikanët se deklaratat publike janë të ndaluara në zonën e votimit, pas së cilës ata janë detyruar të shkojnë në korridorin e shkollës.

Pasi u largua nga ambientet, Georgescu u tha gazetarëve se ai votoi “për një Rumani të krishterë” dhe “për vlerat familjare”.

Vendi po zhvillon të dielën raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë u mbajt më 4 maj, me shumicën e votave për kreun e partisë nacionaliste Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR), George Simion, me 41%  ndërsa kryebashkiaku i Bukureshtit, Nicusor Dan u rendit i dyti me 21%, shkruan Telegrafi.

Sipas ligjit, fitues është kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të zgjedhësve të përfshirë në lista.

Nëntorin e kaluar, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt në Rumani. Udhëheqësi i saj ishte kandidati i pavarur Calin Georgescu.

Më 6 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e vendit anuloi rezultatet e votimit me pretekstin e shkeljeve të rënda.