
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një deklarate publike pas zgjedhjeve të 11 majit, duke shprehur mirënjohje për rreth 8 mijë qytetarë që votuan për të, të cilët, sipas tij, i qëndruan besnikë kauzës së votës së lirë përballë një “makinerie kriminale shtetërore”.
“Nuk janë votues, janë heronj,” u shpreh Meta, duke theksuar se këta qytetarë nuk e shitën “as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin” e tyre përballë presioneve dhe deformimeve që, sipas tij, shoqëruan procesin zgjedhor.
Në reagimin e tij, Meta hodhi poshtë zërat që sugjerojnë se ai mund të hyjë në Kuvend përmes dorëheqjes së kandidatëve të tjerë të Partisë së Lirisë në listën e Qarkut Tiranë.
Ai nënvizoi se nuk do të pranojë asnjë mandat që nuk është rezultat i vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Që nga viti 2008 kam luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve. Nuk do të pranoj asnjë marifet që bie ndesh me parimet për të cilat kam luftuar dhe do të luftoj gjithmonë,” deklaroi ai.
Meta falënderoi gjithashtu Tedi Blushin dhe ekipin e Partisë së Lirisë për përkushtimin në atë që e cilësoi si një “fushatë të pabarabartë”, si dhe komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit që po mbrojnë çdo votë me përgjegjësi dhe këmbëngulje.
Ai përsëriti akuzat për deformim të procesit zgjedhor nga një shtet që e quajti “Narkoshtet”, duke thënë se zgjedhjet e fundit cenuan rëndë standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës në vend.
Postimi i plotë:
Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.
Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.
Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.
Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.
Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi , dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.
Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit.