
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se marrëveshja për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë do të nisë të zbatohet nga data 1 qershor 2025.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilën ai e cilëson “Motër”, solli në Tiranë dokumentin përfundimtar të marrëveshjes gjatë vizitës së saj për Samitin e Komunitetit Politik Europian.
“Lajm i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian”, shkruan Rama.
Ai shtoi:
“Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë.”
Kjo marrëveshje do të lejojë njohjen e kontributeve pensionale mes dy vendeve, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë që kanë punuar në Itali të përfitojnë pension sipas periudhës së sigurimeve të kryera në të dyja shtetet.