
Dy persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur pasi një anije shkollë me vela e Marinës Meksikane u përplas me urën ikonike Brooklyn në qytetin e New York-ut.
Sipas policisë, anija “Cuauhtémoc”, me 277 persona në bord, pësoi një humbje të menjëhershme të energjisë elektrike të shtunën, ndërsa kapiteni po përpiqej ta manovronte, gjë që e detyroi atë të lundronte drejt strukturës mbajtëse të urës nga ana e Brooklyn-it.
Pamjet filmike tregojnë se direkët e lartë të anijes goditën pjesën e poshtme të urës gjatë kalimit, duke u thyer dhe rënë në kuvertë. Autoritetet konfirmuan se disa anëtarë të ekuipazhit ndodheshin mbi direkë në momentin e përplasjes.
Një dëshmitar i ngjarjes, tha se “zona shpërtheu në panik”. Ai përshkroi “ulërima të shumta dhe marinarë të varur nga direkët”, përcjell BBC.
Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, konfirmoi në platformën X se dy persona kanë ndërruar jetë dhe dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Ura Brooklyn nuk pësoi dëmtime të mëdha dhe u rihap për qarkullim pas një inspektimi paraprak. Autoritetet besojnë se një defekt mekanik dhe ndërprerja e energjisë ishin shkaktarët e përplasjes.
Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi se anija e Marinës Meksikane humbi të tre direkët e saj. Të gjithë personat në bord janë llogaritur dhe asnjë nuk ka rënë në ujë.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se turma njerëzish u larguan me panik nga brigjet kur ndodhi përplasja.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu trishtimin e saj të thellë për humbjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Anija “Cuauhtémoc” u tërhoq nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Sipas Marinës Meksikane, anija është 91 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë dhe ka dalë për herë të parë në det në vitin 1982. Ajo përdoret çdo vit për të përfunduar trajnimet e kadetëve pas mbarimit të shkollës ushtarake detare.
Këtë vit, ajo ishte nisur nga porti i Acapulcos më 6 prill dhe destinacioni i saj përfundimtar ishte Islanda.
Policia raportoi se lartësia e direkëve të anijes ishte 48.2 metra, ndërsa sipas faqes zyrtare të transportit të qytetit të New York-ut, lartësia e urës Brooklyn në qendër është 135 këmbë (rreth 41 metra).