
Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga diaspora, Partia Demokratike ka arritur të ruajë mandatin e katërt në qarkun e Lezhës, duke shënuar një fitore të rëndësishme në këtë zonë. Diferenca përfundimtare prej 70 votash ndaj Partisë Socialiste vulosi rezultatin e garës.
Procesi përfundoi në një atmosferë të qetë dhe të civilizuar, me përfaqësuesit e të dyja forcave politike që pranuan verdiktin e kutive të votimit. Kandidati i PS-së, Kadeli, përshëndeti publikisht fitoren e kandidatit të PD-së, Gjin Gjoni, duke e cilësuar rezultatin si produkt të një gare të ndershme dhe demokratike.
Të dy rivalët u panë duke shkëmbyer batuta miqësore dhe në fund shtrënguan duart, duke dhënë një shembull të rrallë të qytetarisë dhe “fair play”-t politik në jetën publike shqiptare.