
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka folur për herë të parë për projektin ambicioz të ndërtimit të një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, përmes një videomesazhi në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po zhvillohet në Tiranë.
Kushner u shpreh se natyra unike e zonës është ajo që e bën projektin të veçantë, duke theksuar se janë angazhuar disa nga inxhinierët më të mirë në Europë për të garantuar mbrojtjen e mjedisit. “Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi nuk do të jetë i veçantë. Jemi përpjekur të përqafojmë ambientin lokal dhe të ruajmë gjithçka që e bën këtë vend të veçantë,” tha ai.
Sipas tij, projekti do të ndërtohet vetëm 10 minuta larg nga aeroporti i ri që pritet të hapet së shpejti, dhe ndodhet në një nga pozicionet më strategjike në Mesdhe – vetëm 60 milje nga Italia dhe Korfuzit. Kushner theksoi se Shqipëria, për shkak të izolimit historik deri në vitet ’90, ka mbetur e pazhvilluar, duke ofruar sot mundësinë e rrallë për të krijuar diçka të re në një rajon që tashmë është i tejzhvilluar.
Ai mohoi akuzat për ndikim në ekosisteme të ndjeshme, duke shtuar se projekti nuk ka asnjë lidhje me ndonjë deltë lumi, siç është pretenduar. “Kur të publikojmë planet, do të shihet qartë se kemi bërë gjithçka për të ruajtur mjedisin dhe për të ndërtuar diçka spektakolare,” përfundoi Kushner.