Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina dhe Rusia bien dakord për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës


Ukraina dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve të luftës, si pjesë e bisedimeve që u zhvilluan në Stamboll. Lajmi është konfirmuar nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili tha se të dyja palët kanë rënë dakord për shkëmbimin e 1,000 personave secila.

“Kemi diskutuar çështjen e armëpushimit dhe shkëmbimin e të burgosurve. Rezultati i takimit është dakordësia për shkëmbimin e 1,000 për 1,000. Data është caktuar, por nuk po bëhet publike,” deklaroi Umerov për mediat ukrainase.

Ministri shtoi se gjatë takimit është diskutuar gjithashtu edhe mundësia për një takim mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin. Një njoftim zyrtar për një raund të ri të mundshëm bisedimesh pritet të bëhet së shpejti.

Umerov bëri të ditur gjithashtu se në tryezën e diskutimeve ishin edhe “të gjitha modalitetet” për një armëpushim, ndërkohë që një anëtar i ekipit negociator ukrainas ka konfirmuar për BBC se bisedimet në Stamboll kanë përfunduar.

Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të ofruar lehtësim humanitar në mes të luftës që vijon prej më shumë se dy vitesh.