Vendosni fjalën kyçe....

OKB: Ekonomia globale po ngadalësohet pas tarifave tregtare të Trump, vendet e varfra më të goditurat


Kombet e Bashkuara parashikuan të enjten një ngadalësim të rritjes ekonomike globale për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke theksuar ndikimin që kanë rritja e tarifave nga SHBA dhe tensionet tregtare në rritje.

Sipas ekonomistëve të OKB-së, faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht janë pasiguria gjeopolitike, rritja e kostove të prodhimit, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe turbulencat financiare.

“Ka shumë pasiguri në ajër këto ditë”, tha Shantanu Mukherjee, drejtor i Divizionit të Analizës Ekonomike dhe Politikave në Departamentin e Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së. Ai shtoi se është një periudhë e trazuar për ekonominë globale. “Në janar parashikonim dy vite rritje të qëndrueshme, edhe pse më të dobëta se sa duhet. Por që atëherë, pritshmëritë janë ulur dhe pasiguritë janë shtuar në disa drejtime.”

OKB-ja tani parashikon që ekonomia botërore do të rritet me 2.4% në vitin 2024 dhe 2.5% në vitin 2025, që përfaqëson një ulje prej 0.4 pikësh përqindjeje krahasuar me parashikimet e janarit. Për krahasim, në vitin 2023 rritja ishte 2.9%.

Mukherjee theksoi se ky ngadalësim po prek shumicën e vendeve dhe rajoneve, por vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara janë ndër më të goditurat. Për këto vende, parashikimi për rritje ka rënë nga 4.6% në 4.1% që nga janari.

“Kjo nënkupton miliarda dollarë humbje në prodhim ekonomik për vendet më të pafavorizuara, të cilat janë shtëpia e më shumë se gjysmës së popullsisë globale që jeton në varfëri ekstreme”, shtoi ai.

Si do të preken vendet kryesore

SHBA: Rritja pritet të bjerë nga 2.8% në 1.6% për shkak të tarifave më të larta dhe pasigurive politike që pengojnë investimet dhe konsumin.

Kina: Pritet të ketë një rritje prej 4.6% këtë vit, nga 5% në vitin 2024. Arsyet janë rënia e besimit të konsumatorëve, problemet në sektorin e eksporteve dhe kriza në tregun e pasurive të paluajtshme.

Bashkimi Evropian: Rritja pritet të mbetet në nivelin e ulët prej 1%, e njëjtë me vitin e kaluar, për shkak të eksporteve të dobëta dhe barrierave tregtare më të larta.

Mbretëria e Bashkuar: Nga 1.1% në 0.9%.

Ekonomitë në zhvillim si Brazili, Meksika dhe Afrika e Jugut gjithashtu do të preken nga dobësimi i tregtisë, rënia e investimeve dhe çmimet e ulëta të mallrave.

India mbetet një ndër ekonomitë më të shpejta në botë, por edhe aty parashikohet rënie: nga 7.1% në 6.3%.

Parashikimi i OKB-së për rritjen globale është më pesimist se ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në fund, Mukherjee përmendi edhe një zhvillim pozitiv: ai shpreson që negociatat dypalëshe mes vendeve do të çojnë në ulje tarifash, edhe pse nuk pritet të kthehen në nivelet që ishin para tarifave të vendosura nga administrata e Donald Trump.

Sipas tij, zgjidhja e pasigurive do të ndihmonte qytetarët dhe bizneset të marrin vendime më të sigurta ekonomike, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë globale./AP