
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur hapjen e kutive dhe vijimin e numërimit të zarfeve me vota të ardhura nga diaspora shqiptare në Greqi, duke i dhënë fund ngërçit disa-ditor të krijuar pas bllokimit të procesit në mbrëmjen e 11 majit.
Vendimi erdhi pas një kërkese të Partisë Demokratike për të pezulluar numërimin, e cila u pranua përkohësisht nga Celibashi, por që shkaktoi reagime të forta nga mazhoranca e cila akuzoi për shkelje të Kodit Zgjedhor. Më 16 maj, kryekomisioneri konfirmoi se asnjë nga kutitë e votimit nga jashtë nuk ishte shpallur e parregullt dhe se nuk kishte asnjë provë që të justifikonte ndalimin e numërimit të tyre.
“Për sa kohë janë caktuar të rregullta, është detyrim ligjor si për grupet e vlerësimit ashtu dhe për komisionet që të numërojnë çdo votë nga jashtë,” deklaroi Celibashi në fjalën e tij.
Ai sqaroi se vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) dhe më pas Kolegji Zgjedhor kanë të drejtë të vendosin për vlefshmërinë e procesit apo parregullsitë, ndërsa grupet e numërimit nuk kanë tagër të ndalojnë ose refuzojnë vota.
“Grupet e vlerësimit nuk kanë kompetencë proceduriale për të shqyrtuar shkelje apo ankesa. Ata kanë vetëm detyrimin për të numëruar dhe tabuluar votat,” tha Celibashi, duke theksuar se çdo anëtar ka të drejtë të kontestojë vota të veçanta, por jo të bllokojë procesin.
Me këtë vendim, që hyn në fuqi menjëherë, i hapet rrugë përfundimit të procesit të numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke përmbyllur kështu edhe pjesën e fundit të mbetur të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.