
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se Irani “disi” ka rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje të re bërthamore me Shtetet e Bashkuara, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike pa nevojën e ndërhyrjes ushtarake, përcjell BBC.
Gjatë një konference për shtyp në Doha të enjten, në ndalesën e dytë të turit të tij në Gjirin Persik, Trump u shpreh:
“Mendoj se jemi afër që të bëjmë një marrëveshje pa pasur nevojë ta bëjmë këtë… Ndoshta keni lexuar sot lajmin për Iranin. Disi kanë rënë dakord me kushtet.”
Megjithëse nuk dha detaje konkrete, komentet e presidentit vijnë pas një interviste për mediat amerikane nga këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Shamkhani. Ai tha se Teherani është i gatshëm të bëjë lëshime të konsiderueshme, përfshirë dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta, në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane — një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit.
Kjo zhvillim pason një raund të ri bisedimesh bërthamore që përfunduan të dielën. Të dyja palët i përshkruan diskutimet si thelbësore. Përfaqësuesi i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i quajti ato “inkurajuese”, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i përshkroi si “të vështira, por të dobishme.”
Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi se takimi zgjati mbi tre orë dhe përfundoi me një marrëveshje për të vazhduar bisedimet mbi elementët teknikë të pazgjidhur.
“Jemi të inkurajuar nga rezultati i sotëm dhe mezi presim takimin e radhës, që do të ndodhë së shpejti,” deklaroi zyrtari.
Ky ndryshim në ton shënon një largim të dukshëm nga qëndrimi i ashpër i Trump-it në vitin 2018, kur ai u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA), duke e akuzuar Teheranin për shkelje dhe duke rritur tensionet në rajon. Që atëherë, të dy vendet janë përfshirë në negociata të herëpashershme mes sanksioneve të reja dhe kërcënimeve ushtarake.
Deklaratat e fundit të Trump-it sugjerojnë se mund të jetë duke u formësuar një kornizë e re – e cila synon të kufizojë kapacitetet bërthamore të Iranit, të lehtësojë sanksionet dhe të shmangë përplasjen.
Në një koment që pasqyronte optimizëm të kujdesshëm, Trump tha për gazetarët:
“Nuk do të shkaktojmë asnjë pluhur bërthamor në Iran.”
Megjithëse ende nuk është firmosur një marrëveshje formale, të dyja palët janë zotuar të vazhdojnë bisedimet, me shpresën se një përparim mund të arrihet në javët në vijim.