Policia indiane ka vrarë 31 rebelë të dyshuar maoistë në atë që përshkruhet si “operacioni më i madh ndonjëherë” kundër kryengritjes.
Forcat e sigurisë kaluan 21 ditë duke u përpjekur për të kapur rebelët përgjatë kufirit të shteteve të Chhattisgarh dhe Telangana në Indinë qendrore, tha të mërkurën Ministri i Brendshëm Amit Shah.
Duke e përshkruar operacionin si një “përparim historik”, Shah tha se forcat e sigurisë kryen “operacionin më të madh ndonjëherë” kundër rebelëve, duke vrarë 31 prej tyre në Kodrën Karreguttalu, e konsideruar si një bastion maoist, shkruan CNN.
Autoritetet indiane kanë luftuar kundër grupeve rebele maoiste, të njohura edhe si Naxals, nëpër disa shtete qendrore dhe veriore që nga viti 1967. Të frymëzuar nga lideri revolucionar kinez Mao Ce Dun, kryengritësit kanë nisur gjatë dekadave sulme ndaj forcave qeveritare në një përpjekje për të përmbysur shtetin dhe, thonë ata, për të krijuar një shoqëri pa klasa.
“Forcat tona të sigurisë përfunduan këtë operacion më të madh anti-Naxal në vetëm 21 ditë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që nuk pati asnjë viktimë në forcat e sigurisë në këtë operacion,” shkroi Shah në X, duke përgëzuar ushtarët për “trimërinë dhe guximin e tyre”.
Kryengritësit njihen si Naxalitë në Indi pas Naxalbari, një fshat në shtetin e Bengalit Perëndimor ku ata e kanë origjinën në fund të viteve 1960.
Qeveria indiane ka goditur zonat ku grupet maoiste janë aktive, një qasje që, ndonëse duket se zvogëlon nivelin e kërcënimit, është kritikuar nga disa vëzhgues si të ashpër dhe të prirur për abuzim.
