Vendosni fjalën kyçe....

Bisedimet në Stamboll, Zelensky: Rusia nuk është serioze për paqen


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se do të dërgojë ministrin e tij të Mbrojtjes në bisedimet për paqen me Rusinë që zhvillohen sot në Stamboll, por ka theksuar se Moska nuk është e sinqertë në qëllimin për të arritur një marrëveshje reale.

Duke folur nga Ankara, Zelensky tha se ky vendim vjen “nga respekti për Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentin amerikan Donald Trump”.

Takimi i sotëm mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll ishte paralajmëruar më herët, ndërsa Zelensky i kishte bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të merrte pjesë personalisht në këto bisedime, sipas BBC.

Megjithatë, mungesa e Putinit e ka shtyrë Zelenskyn ta cilësojë delegacionin rus si “aktorë të vënë në skenë” dhe jo përfaqësues të vërtetë.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi ashpër ndaj deklaratave të Zelenskyt, duke e quajtur atë një “klloun dhe humbës”.

Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalya, pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm për çështjen ukrainase.

Presidenti amerikan Donald Trump, duke komentuar zhvillimet, tha se “asgjë nuk do të ndodhë” në drejtim të paqes në Ukrainë “derisa ai dhe Vladimir Putin të takohen personalisht”.

Ngjarjet e fundit tregojnë tensionet e larta mes palëve dhe sfidat e mëdha për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.