
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se mbrëmjen e sotme do të zhvillojë një takim me drejtuesit politikë të forcës që ai drejton. Mbledhja është parashikuar të mbahet në selinë e PD-së, në orën 20:30.
Ky takim vjen vetëm tre ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në të cilat PD pësoi një disfatë të ndjeshme përballë Partisë Socialiste. Demokratët arritën të fitojnë vetëm në tre qarqe – Shkodër, Kukës dhe Lezhë – ndërsa në total siguruan 50 mandate, krahasuar me 83 të Partisë Socialiste, e cila doli forcë e parë.
Berisha ka shprehur hapur pakënaqësinë për rezultatin, duke akuzuar për manipulim të procesit zgjedhor. Ai ka paralajmëruar gjithashtu një protestë më 16 maj, në shenjë kundërshtimi ndaj asaj që e cilëson si “zgjatje të regjimit në pushtet”.
Takimi i sotëm pritet të përqendrohet në analizën e rezultatit dhe hapat që PD do të ndjekë në ditët në vijim.