Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke bllokuar nisjen e një hetimi ndaj ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, ish-deputetit të PS-së, Artan Gaçi.
Vendimi i marrë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi shfuqizon vendimin e Shkallës së Parë, që kishte urdhëruar SPAK-un të regjistronte procedimin penal dhe të niste hetimet për disa akuza të rënda përfshirë “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrim parash”, pas kallëzimit të bërë nga Fredi Beleri.
GJKKO kishte urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të niste hetim për deputeten dhe bashkëshortin e saj, por SPAK e ankimoi, duke njoftuar se nuk kishte gjetur elemente të veprës penale nga hetimi i mëparshëm, duke e pushuar çështjen.
Pas urdhrit të GJKKO, u bë ankimim në Apel nga SPAK dhe shkalla e dytë i dha të drejtë Prokurorisë ditën e sotme.
Vendimi
“GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë 14.05.2025
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 14.05.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 90 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dh.A.B.
Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 186 287 të Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181, datë 04.09.2023, sipas pikës 42 të këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”.
