Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet numërimi i votave preferenciale në Elbasan – PS konfirmon 5 fitues nga lista e hapur, PD pa mandat


Procesi i numërimit të votave preferenciale në Qarkun e Elbasanit është përmbyllur, ndërsa pritet përpunimi zyrtar i rezultateve për shpalljen e kandidatëve fitues nga listat e hapura.

Sipas rezultateve paraprake, Partia Socialiste ka arritur të sigurojë pesë mandate nga lista e hapur. Kandidatët që kanë fituar më shumë vota preferenciale janë Sara Mila, Sajmir Hasalla, Olsi Komici dhe Aulona Bylykbashi, të cilët pritet të jenë pjesë e përbërjes së re parlamentare.

Ndërkohë, Partia Demokratike nuk ka arritur të sigurojë asnjë mandat përmes listës së hapur në këtë qark. Madje, PD ka humbur edhe një mandat nga lista e mbyllur, duke shënuar një tjetër goditje në përfaqësimin në Elbasan. Kandidatët më të votuar nga lista e hapur e PD-së janë Qani Xhafa me 5,099 vota, Dritan Mitarja me 2,856 vota dhe Alis Narazani me 1,447 vota.

Fati i mandatit të dhjetë të Partisë Socialiste në Elbasan pritet të vendoset nga votat e diasporës. Në garë për këtë vend janë tre kandidatë të listës së hapur të PS: Agron Gaxho, Shkëlqim Bullari dhe Geldon Fejzo.

Përfundimi i përpunimit të të dhënave dhe shpallja zyrtare e fituesve pritet të bëhet në orët në vijim nga KQZ.