Vendosni fjalën kyçe....

Mandati i 13-të në Tiranë, thellohet në 580+ vota diferenca mes Tabakut dhe Alimehmetit


Ndërsa numërimi i votave preferenciale në qarkun e Tiranës është drejt fundit, gara për mandatin e 13-të të Partisë Demokratike mbetet e hapur dhe mjaft e ngushtë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, dy kandidatë nga lista e hapur e PD.

Sipas të dhënave të orës 23:00 të mbrëmjes së sotme, Tabaku kryeson me 9877 vota, ndërsa Alimehmeti ndjek me 9297 vota, duke regjistruar një diferencë prej 580 votash në favor të ish-deputetes demokrate.

Aktualisht kanë mbetur edhe 587 kuti votimi për t’u numëruar, ndërsa trendi i shtimit të votave gjatë një ore tregon një rritje prej 100 votash për Tabakun dhe rreth 40 për Alimehmetin, çka e ruan avantazhin aktual të saj.

Megjithëse asgjë nuk është përfundimtare pa u numëruar të gjitha kutitë, të dhënat aktuale favorizojnë Jorida Tabakun, e cila po shkon drejt sigurimit të mandatit të 13-të të PD-së në Tiranë. Rezultati përfundimtar pritet të konfirmohet brenda orëve në vijim.